
Sot mbahet Kuvendi Zgjedhor i FFSHGJ-së, 93 delegatë vendosin për kryetarin e ri
Sot në Ludwigsburg të Shtutgartit, në orën 14:00, do të mbahet Kuvendi Zgjedhor i Federatës së Futbollit Shqiptar në Gjermani (FFSHGJ). Në këtë proces zgjedhor do të marrin pjesë 93 delegatë nga klubet shqiptare në Gjermani, të cilët do të votojnë për zgjedhjen e kryetarit të ri të federatës.
Në punimet e kuvendit do të jenë të pranishëm edhe presidenti i FFK-së, Agim Ademi, anëtari i KE-së së FFK-së nga diaspora, Enver Muzliukaj, si dhe kryetari i Unionit të Klubeve Shqiptare të Futbollit në Zvicër, Feti Demolli.
Kreu i FFK-së në prag të këtij kuvendi ka vlerësuar punën dhe kontributin e jashtëzakonshëm të kryetarit të deritashëm Ruzhdi Statovci, i cili udhëhoqi FFSHGJ-në me plot sukses.
“Pas 24 vjetësh Ruzhdi Statovci vullnetarisht po e përmbyll karrierën e tij në drejtim të FFSHGJ-së dhe po lë vend për bashkëpunëtorët që të vazhdojnë rrugëtimin e një misioni sa sportiv po aq edhe atdhetar, për faktin se më shumë 39 klube shqiptare të cilat bëjnë gara në ligat e ndryshme në Gjermani po thuajse në çdo javë mblidhen nëpër në terrene sportive dhe zhvillojnë ndeshjet e tyre, por edhe bëjnë ndeja. Pra, aktiviteti i tyre është më shumë se futboll, pasi takimet e tilla në çdo vikend i mbajnë ata më afër njëri-tjetrin dhe më afër atdheut, pasi ata janë aset i Kosovës, por edhe i FFK-së”, ka thënë Ademi.
Duke iu referuar sloganit të FIFA-s “Futbolli bashkon botën”, Ademi tha se në këtë rast “Futbolli bashkon vëllezërit shqiptarë”.
“Prandaj sot besojmë fuqishëm se kjo garë do të jetë e ndershme dhe ky kuvend do të jetë shembull dhe do të zgjedh më të mirin nga tre kandidatët e deleguar nga klubet”, ka nënvizuar i pari i FFK-së.
Në garë për kreun e ri të FFSHGJ-së janë tre kandidatë: Afrim Osmanaj, Arben Kelmendi dhe Bujar Neziri.
Në rend dite fillimisht janë edhe miratimi i raportit të punës katërvjeçare si dhe raporti financiar.

