
Festivali i Filmit në Kanë: Filmat kryesorë që pritet të dominojnë
Për 12 ditët e ardhshme, vëmendja e botës së kinemasë do të jetë e përqendruar në Festivalin e Filmit në Kanë, raportoi AP.
Ngjarja e madhe e njohur, në rivierën franceze të Côte d’Azur, nis të martën dhe do të sjellë një sërë premierash të shumëpritura, me shfaqjen e yjeve ne tapetin e kuq dhe prezantimit të filmave më të përfolur të vitit.
Këtë vit, studiot e Hollivudit janë më të tërhequra, por festivali mbetet prej më shumë se 78 vitesh një nga skenat më prestigjioze të kinemasë botërore.
Edicioni i kaluar përfshiu filma të nominuar për çmim “Oscar” si “Sentimental Value”, “The Secret Agent” dhe “It Was Just an Accident”.
Edhe këtë vit, pritet që disa prej premierave të shndërrohen në pretendentë për çmimet më të mëdha të industrisë.
Në vitet e fundit, filma si “Parasite” dhe “Anora” janë prezantuar fillimisht në Festivalin e Filmit në Kanë, përpara se të triumfonin në çmimet “Oscar”.
Juria, që do të vendosë për çmimin kryesor “Palma e Artë”, këtë vit drejtohet nga regjisori koreano-jugor Park Chan-wook.
Në ceremoninë e hapjes, festivali do t’i akordojë gjithashtu “Palmën e Artë të Nderit” regjisorit Peter Jackson, ndërsa më vonë një çmim të ngjashëm do të marrë edhe Barbra Streisand.
Mes projekteve më të pritura është edhe sezoni i katërt i serialit “The White Lotus” të HBO-së, i cili është zhvendosur në Croisette për xhirime.
Filmat që pritet të spikasin në festival:
“Hope”
Regjisori Na Hong-jin, më pak i njohur ndër emrat e mëdhenj të kinemasë koreane, pritet të ketë një moment të rëndësishëm, në Kanë me projektin e tij më të ri.
Filmi është një thriller fantastiko-shkencor, i zhvilluar prej kohësh, të cilin drejtori artistik i festivalit Thierry Frémaux e ka përshkruar si një vepër që “ndryshon vazhdimisht zhanër”.
Kasti përfshin një përzierje aktorësh koreano-jugorë dhe yje të Hollivudit, mes tyre Hwang Jung-min, Zo In-sung, Jung Ho-yeon, Michael Fassbender, Alicia Vikander dhe Taylor Russell.
“Paper Tiger”
Edhe pse fillimisht nuk ishte pjesë e listës zyrtare të konkurrimit, drama e re e James Gray, e vendosur në Queens, është shtuar më vonë në program dhe është kthyer menjëherë në një nga filmat amerikanë më të përfolur të festivalit.
Gray, i njohur për filmat “Armageddon Time” dhe “The Immigrant”, trajton historinë e dy vëllezërve (Adam Driver dhe Miles Teller) që përfshihen në rrjetin e mafies ruse. Në kast është edhe Scarlett Johansson.
“Fjord”
Regjisori rumun Cristian Mungiu, fitues i Palmës së Artë për “4 Months, 3 Weeks and 2 Days” dhe autori i “R.M.N.”, rikthehet me një dramë të re evropiane.
Filmi ndjek historinë e një çifti rumuno-norvegjez (Sebastian Stan dhe Renate Reinsve) që zhvendosen në qytetin e izoluar të origjinës së bashkëshortes në Norvegji.
“Teenage Sex and Death at Camp Miasma”
Jane Schoenbrun, një nga zërat më të veçantë të kinemasë së re amerikane pas “I Saw the TV Glow” dhe “We’re All Going to the World’s Fair”, vjen në një nga garat kryesore të Festivalit të Filmit në Kanë.
Filmi i ri, me Hannah Einbinder dhe Gillian Anderson, trajton procesin e realizimit të një filmi slasher.
“Fatherland”
Regjisori polak Paweł Pawlikowski, i njohur për “Ida” dhe “Cold War”, sjell një tjetër dramë në stilin e tij karakteristik bardhezi.
Filmi paraqet shkrimtarin gjerman Thomas Mann (Hanns Zischler) në një udhëtim pas Luftës së Dytë Botërore, i shoqëruar nga vajza e tij (Sandra Hüller).
“All of a Sudden”
Regjisori japonez Ryusuke Hamaguchi bën debutimin e tij në gjuhën frënge, pas suksesit të “Drive My Car” dhe “Evil Does Not Exist”.
Filmi, me Virginie Efira dhe Tao Okamoto, paraqet historinë e një drejtoreshe të shtëpisë së pleqve dhe një dramaturg japonez në fazë terminale të sëmundjes.
“Sheep in the Box”
Regjisori Hirokazu Kore-eda, fitues i Palmës së Artë për “Shoplifters”, prezanton një histori (shkencë dhe fiction) të ngrohtë dhe emocionale.
Filmi tregon një çift që, pas humbjes së djalit të tyre, adopton një robot humanoid foshnje.
“The Man I Love”
Ira Sachs sjell një dramë të re amerikane me Rami Malek në rolin e një aktori në Nju Jorkun e viteve 1980, i cili përballet me një sëmundje kërcënuese për jetën ndërsa përgatitet për rolin e tij të fundit.
“The Unknown”
Regjisori francez Arthur Harari, bashkautor i “Anatomy of a Fall”, rikthehet me një histori misterioze të një fotografeje (Léa Seydoux) që, pas një fotografie në një festë, zgjohet në trupin e një gruaje tjetër.
“Minotaur “
Regjisori rus Andrey Zvyagintsev, i njohur për “Leviathan” dhe “Loveless”, kthehet në Kanë – me një dramë rreth një ekzekutiv biznesi në krizë në Rusinë rurale, pas një përvoje pranë vdekjes gjatë pandemisë.
“John Lennon: The Last Interview”
Dokumentari i Steven Soderbergh për intervistën e fundit të John Lennon, zhvilluar në Dakota në Nju Jork pak para vrasjes së tij, ka tërhequr vëmendje për përdorimin e inteligjencës artificiale për të ilustruar reflektimet filozofike të artistit.
Filmi do të shfaqet si projekt special në festival.
“Bitter Christmas”
Pedro Almodóvar rikthehet në Kanë me një dramë për kinemanë, dhimbjen dhe plakjen.
Pas debutimit në gjuhën angleze me “The Room Next Door”, regjisori spanjoll kthehet në gjuhën e tij amtare me një nga projektet e tij më personale. /atsh/

