
NYT: Rusia përdor Detin Kaspik për të dërguar dronë në Iran
Rusia po përdor Detin Kaspik si korridor kryesor transporti për të dërguar komponente dronësh dhe mallra të tjera në Iran, duke e kthyer atë në një urë të rëndësishme për tregtinë e fshehtë.
Media amerikane New York Times referuar burimeve të saj në kushte anonimiteti, shpjegon se ky korridor i harruar prej kohësh po ndihmon Iranin të rindërtojë aftësitë e tij ushtarake pas fushatës së bombardimeve amerikano-izraelite që përfundoi muajin e kaluar.
“Nëse dërgesat ruse vazhdojnë me ritmin aktual, Irani mund të restokojë shpejt arsenalin e tij të dronëve, nga i cili humbi rreth 60 për qind gjatë luftës së fundit”, tha një zyrtar amerikan.
Deti Kaspik shërben si urë lidhëse mes dy vendeve, të cilat nuk ndajnë kufi tokësor, por kanë brigje të gjata në këtë det të brendshëm.
Kjo rrugë u lejon Rusisë dhe Iranit të tregtojnë lirshëm, pa frikën e ndërhyrjes nga SHBA apo vende të tjera për shmangien e sanksioneve.
Sipas këtyre informacioneve, Rusia po dërgon mallra që normalisht do të kalonin përmes Ngushticës së Hormuzit, e cila tashmë është bllokuar prej javësh nga SHBA dhe Irani. Nëpërmjet Detit Kaspik po transportohen drithëra, ushqim për kafshë, vaj luledielli dhe produkte të tjera bazë.
“Nëse mendoni për vendin ideal për shmangien e sanksioneve dhe transfertat ushtarake, ai është Deti Kaspik”, thotë eksperti Nicole Grajewski, profesore në Sciences Po të Parisit.
“Për politikëbërësit amerikanë, Deti Kaspik është një ‘vrimë e zezë’ gjeopolitike; thuajse nuk ekziston”, thekson Luke Coffey, bashkëpunëtor i lartë në Institutin Hudson. /rtsh/

