
Slot: Liverpooli do të jetë skuadër krejt tjetër sezonin e ardhshëm
Trajneri i Liverpoolit, Arne Slot, është shprehur i bindur se mund ta rikthejë mbështetjen e tifozëve duke ndryshuar fytyrën e skuadrës sezonin e ardhshëm, pas një edicioni zhgënjyes për “The Reds”.
Barazimi 1-1 ndaj Chelsea në “Anfield” u përcoll me fishkëllima nga tifozët vendas, ndërsa pakënaqësi shkaktoi edhe vendimi i Slot për ta zëvendësuar talentin 17-vjeçar, Rio Ngumoha.
Megjithatë, tekniku holandez beson se situata do të ndryshojë sezonin e ardhshëm.
“Po, besoj se mund t’i fitoj sërish tifozët. Jo këtë sezon, sepse tani ata kanë opinionin e tyre dhe nuk do të ndryshojë. Por nëse arrijmë ta bëjmë verën që po planifikojmë, jam 100 për qind i bindur se do të jemi një skuadër krejtësisht tjetër sezonin e ardhshëm – si në rezultate, ashtu edhe në mënyrën si do të dukemi në fushë”, deklaroi Slot.
Sezoni i Liverpoolit u godit rëndë që në fillim pas vdekjes tragjike të sulmuesit Diogo Jota në një aksident automobilistik, ndërsa skuadra është përballur edhe me shumë dëmtime gjatë gjithë kampionatit.
Përballë Chelseat munguan emra të rëndësishëm si Mohamed Salah, Florian Ëirtz dhe Hugo Ekitike, ndërsa rekordmeni i klubit, Alexander Isak, u aktivizua vetëm në pjesën e dytë.
“Nuk është gjithmonë e mundur të marrësh saktësisht atë që dëshiron në afatin kalimtar, por për mua është shumë e qartë se çfarë na ka munguar këtë sezon. Një nga problemet kryesore është mungesa e lojtarëve të gatshëm fizikisht”, shtoi ai.
Slot komentoi edhe reagimin e tifozëve ndaj zëvendësimit të Ngumohas, duke sqaruar se lojtari kishte probleme fizike.
“E dija që ky do të ishte reagimi, sepse ai është shumë i dashur nga tifozët dhe luajti shumë mirë për 65 minuta. Por njerëzit nuk i dinë gjithmonë të gjitha detajet. Unë jam trajneri dhe duhet të marr vendime. Ndonjëherë tifozët janë të kënaqur, ndonjëherë jo – dhe sot qartazi nuk ishin”, përfundoi trajneri i Liverpoolit.

