
Hoti: Kosova drejt zgjedhjeve më 7 qershor, nuk do të lejohet “uzurpimi i shtetit”
Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka deklaruar se vendi do t’i drejtohet sërish zgjedhjeve më 7 qershor, duke e lidhur këtë zhvillim me, siç ka thënë ai, tendencat për uzurpim të shtetit nga kryeministri Albin Kurti.
Në një reagim publik, Hoti ka theksuar se situata aktuale politike po e çon vendin drejt një procesi të ri zgjedhor, duke e cilësuar këtë si pasojë të një qasjeje që ai e konsideron të rrezikshme për institucionet.
“Më 7 qershor duhet sërish t’u drejtohemi kutive të votimit. Kjo po ndodh për arsyen e thjeshtë: një autokrat dëshiron të uzurpojë shtetin. Kjo nuk mund të ndodhë dhe nuk do të lejohet”, ka deklaruar Hoti.
Ai ka bërë thirrje për mobilizim qytetar, duke kërkuar unitet në atë që e cilëson si mbrojtje të rendit institucional dhe demokratik të vendit.
“Më 7 qershor duhet të bashkohemi të gjithë në refuzimin qytetar ndaj këtij personi. Duhet të bëhemi bashkë për shtetin e Kosovës. Shteti është shtet, nuk nëpërkëmbet dhe nuk abuzohet me të”, ka shtuar ai.
Deklaratat e Hotit vijnë në një periudhë tensionesh politike, ndërsa partitë vazhdojnë akuzat e ndërsjella lidhur me funksionimin e institucioneve dhe drejtimin e vendit.

