
Festivali i Luleve kthen Shkodrën në oaz ngjyrash
Festivali i Luleve, i kthyer tashmë në një traditë të përvitshme kulturore në Shkodër, e ka shndërruar qytetin në veri të vendit në një oaz ngjyrash dhe aromash.
Mes stendave me lule, organizimeve artistike nga bashkia Shkodër, me pjesëmarrjen e kultivuesve të luleve, nxënësve, të rinjve, biznese e organizata, të gjithë këto elementë e kthejnë këtë aktivitet në një ndër më të veçantët për qytetin.
Kryeministri Edi Rama, ndau sot në rrjetet sociale pamje nga disa copëza të këtij organizimi, ndërkohë që dekori dhe stendat janë vendosur në pedonalen e qytetit, zyrtarisht “Festivali i Luleve” nis nesër.
Ky festival do të zgjasë deri në 6 maj dhe është konceptuar si një festë me lule, muzikë, panair dhe treg festiv. “Festivali i Luleve” është një nga aktivitetet më të bukura pranverore në veri të Shqipërisë, që sjell ngjyra, art dhe atmosferë festive në Shkodër.
Ky organizim zhvillohet në zonën qendrore si Pedonalja e Shkodrës dhe hapësira të tjera publike. /atsh/

