
Kosova riafirmon synimin për NATO dhe BE
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka zhvilluar sot një takim me delegacionin e Komitetit Ushtarak të NATO-s, të udhëhequr nga Admirali Giuseppe Cavo Dragone, si dhe me kryetarin e Komitetit Ushtarak të Bashkimit Evropian, Gjeneral Sean Clancy.
Gjatë takimit u diskutuan zhvillimet aktuale të sigurisë në rajon, procesi i avancimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, si dhe roli i Kosovës në kontributin për paqen dhe stabilitetin ndërkombëtar.
Maqedonci theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj synimit strategjik për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe NATO, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm për zhvillimin e brendshëm dhe forcimin e sigurisë rajonale.
Ai gjithashtu informoi delegacionin mbi objektivat e Ministrisë së Mbrojtjes për katër vitet e ardhshme, të cilat përfshijnë rritjen e kapaciteteve të FSK-së, zhvillimin e mbrojtjes gjithëpërfshirëse, forcimin e industrisë së mbrojtjes dhe zgjerimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.
Sipas tij, integrimi i Kosovës në strukturat euroatlantike është një proces i natyrshëm që do të ndihmonte në konsolidimin e paqes afatgjatë dhe forcimin e arkitekturës së sigurisë në Evropë.


