
“Ishte një natë e rëndë për Kosovën”, Abdixhiku reagon sërish: Mes “shtetit karate” ne zgjedhim Republikën
Abdixhiku tregoi se për hir të transparencës, sonte treguan 15 nënshkrimet e deputetëve që i kishin për Vjosa Osmanin presidente.
Ai tha se mes shtetit ‘karate’, propagandës e mashtrimit, ne zgjedhim Republikën, transmeton GE.
Postimi i plotë:
Të dashur qytetarë,
Sonte, ishte një natë e rëndë për Republikën. E paimagjinueshme për shtetin e ri demokratik e për ata që e duan këtë vend si shtet normal. Sonte, Lëvizja Vetëvendosje inicioi përmbysjen e rendit kushtetues, duke imponuar vullnet parapolitik kundrejt çdo standardi demokratik. Për këtë akt të sontëm do të ketë pergjegjësi politike, institucionale e kombëtare. Republika nuk mund të merret peng dhe nuk do ta lejojmë të merret peng nga ata që e trajtojnë si leckë.
Sonte, po ashtu, për hir të transparencës së plotë, para qytetarëve të vendit tim; dhe duke qenë se është folur kaq shumë për 15 nënshkrimet e LDK-së, i bëra publike ato. Këto janë 15 nënshkrimet e deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, për kandidatin e LDK-së, të dhëna mbi bazën e propozimit tim për një marrëveshje politike që u refuzua sot nga Lëvizja Vetëvendosje në një seancë përplot propagandë.
Mes shtetit ‘karate’, propagandës e mashtrimit, ne zgjedhim Republikën! Të përhershmen, të përjetshmen!


