
Kuvendi i Kosovës mban 1 minutë heshtje në nderim të akademikut Rexhep Qosja
Akademiku Rexhep Qosja u nda nga jeta në moshën 89-vjeçare duke lënë pas vepra të cilat janë një kontribut i pazëvendësueshëm i kujtesës sonë kombëtare. Në nderim të jetës dhe figurës së tij, Kuvendi i Kosovës ka mbajtur një minutë heshtje. Propozimi u bë nga kryeparlamentarja Albulena Haxhiu e cila e vlerësoi Qosen si një prej figurave të shquara të mendimit shqiptar dhe veprimtar të palodhur për çështjen kombëtare.
“Kemi marrë një lajm të hidhur të akademikut dhe intelektualit Rexhep Qosja. Ai ishte figurë e shquar e mendimit shqiptar, studiues, shkrimtar e veprimtar i palodhur për çështjen kombëtare. Në shenjë respekti për jetën dhe veprën e tij ju ftojmë të mbajmë një minutë heshtje”, tha Haxhiu.
Ndërkohë edhe kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla në seancën e sotme plenare propozoi mbajtjen e një minute heshtje nga Kuvendi i Shqipërisë në nderim të veprës së akademikut të ndjerë Rexhep Qosja.
“Besoj të gjithë jeni njohur me lajmin shumë të trishtë të ndarjes nga jeta të akademikut Rexhep Qosja, vepra e të cilit janë një kontribut i pazëvendësueshëm i kujtesës sonë kombëtare, ndërgjegjes dhe dinjitetit tonë si komb.
Në një moment të caktuar, kur ta vlerësoni ju, gjatë ditës së sotme, ta kujtojmë veprën e tij duke mbajtur një minutë heshtje. Familja e tij ka njoftuar se nuk do të ketë ceremoni zyrtare dhe ka kërkuar privatësi, por në vlerësim të kontributit dhe vlerës historike që ky personalitet mban, besoj që është në dinjitetin e Kuvendit të mbajmë një minutë heshtje”, deklaroi Balla.


