Kurti: Anëtarësimi i Kosovës në NATO mbetet objektiv strategjik i yni

Kurti: Anëtarësimi i Kosovës në NATO mbetet objektiv strategjik i yni

Kryeministri Albin Kurti, me rastin e transferimit të autoritetit të drejtorit të Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës (NALT) të NATO-s në Republikën e Kosovës, ka vlerësuar kontributin e tyre në fushën e mbrojtjes.

“Në këtë rrugëtim, roli i Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT) ka qenë thelbësor. Përmes këshillimit strategjik, asistencës profesionale dhe bashkëveprimit të përditshëm, NALT ka kontribuar drejtpërdrejt në rritjen e kapaciteteve operacionale, në forcimin e qeverisjes demokratike dhe në ngritjen e standardeve institucionale, si të Ministrisë së Mbrojtjes, ashtu edhe të Forcës së Sigurisë së Kosovës”, ka thënë ai gjatë fjalimit të tij, raporton rtk.

Kurti më tej ka thënë se prezenca e NATO-s në Kosovë, përmes Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës (NALT), përbën një element kontribues jo vetëm për sigurinë e vendit, por edhe të mbarë rajonit. Ai ka vlerësuar kontributin e drejtorit të Zyrës së NALT-it në Kosovë, Gjeneral Brigade Dr. Lange.

“Angazhimi i tij ka qenë i një rëndësie të posaçme në avancimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve tona dhe NATO-s, si dhe në forcimin e kapaciteteve tona shtetërore në fushën e mbrojtjes”, vazhdon njoftimi.

Kurti tha se gjeneral brigade, Thomas Schulte-Borghoff, do të vazhdojë këtë mision me të njëjtin përkushtim dhe profesionalizëm.

Share This