Kriza për presidentin: Opozita pret verdiktin e Kushtetueses para dialogut me Kurtin

Kriza për presidentin: Opozita pret verdiktin e Kushtetueses para dialogut me Kurtin

Partitë opozitare kanë refuzuar ftesën e kryeministrit Albin Kurti për një takim në fillim të javës së ardhshme, i cili kishte për qëllim diskutimin rreth situatës politike dhe çështjes së zgjedhjes së presidentit të ri të vendit.

Refuzimi i tyre vjen në një moment kur kjo çështje tashmë është në shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, duke e zhvendosur debatin politik në pritje të një vendimi juridik që pritet të sqarojë situatën institucionale.

Kryeministri Kurti kishte theksuar se vendi nuk ka nevojë për zgjedhje të reja dhe kishte shprehur shpresën se përmes një takimi me partitë politike do të mund të diskutoheshin rrugët e bashkëpunimit dhe tejkalimit të ngërçit institucional, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Partia Demokratike e Kosovës, si partia më e madhe opozitare, e ka falënderuar kryeministrin Kurti për ftesën për takim, duke theksuar se mbetet e hapur për komunikim dhe dialog politik sa herë që një gjë e tillë i shërben stabilitetit institucional dhe interesit të vendit. Megjithatë, kjo parti ka bërë të ditur se çdo diskutim për çështjen e presidentit duhet të presë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Partia Demokratike e Kosovës e falënderon kryeministrin Albin Kurti për ftesën për takim dhe rithekson se mbetet e hapur për komunikim dhe dialog politik sa herë që kjo i shërben stabilitetit institucional dhe interesit të vendit. Megjithatë, në rrethanat aktuale, duke pasur parasysh se Gjykata Kushtetuese ka vendosur Masë të Përkohshme që pezullon procesin e zgjedhjes së Presidentit dhe çdo veprim të mëtejshëm të Kuvendit në këtë drejtim, PDK vlerëson se është e domosdoshme të pritet vendimi përfundimtar i Gjykatës, i cili pritet deri më 31 mars dhe që do të qartësojë hapat e mëtejmë institucionalë. Partia Demokratike e Kosovës beson se respektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe i procedurave institucionale është mënyra më e përgjegjshme për të garantuar stabilitet politik dhe institucional në vend”, u tha në njoftimin e kësaj partie.

Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës ka bërë të ditur se nuk do t’i përgjigjet kësaj thirrjeje përpara se të shpallet vendimi i Kushtetueses, duke argumentuar se procesi duhet të respektojë rendin kushtetues dhe institucional.

“Duke qenë se çështja e zgjedhjes së Presidentit është tashmë në shqyrtim të Gjykatës Kushtetuese, duhet të kuptojmë se koha jonë politike ndalon përkohësisht, ndërsa koha e dëgjimit kushtetues merr fjalën në pavarësinë e saj. Duke respektuar këtë rend, pa procese të tjera politike paralele, i bëjmë nder jo vetëm vetes, por edhe Republikës dhe institucioneve që janë ndërtuar me shumë mund. Verdikti i Gjykatës duhet pritur me respekt të plotë institucional dhe me qetësi politike. Një orë pas verdiktit, mund të takohemi sërish”, ka shkruar kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Ndërkohë, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka ardhur një kritikë më e drejtpërdrejtë. Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, e ka interpretuar ftesën e Kurtit si një manovër politike.

“Në pamje të parë ftesa duket konstruktive, por, sipas deputetit, ‘në fakt po përgatit terrenin që nëse nuk ka epilog pozitiv sipas tij, fajin ta hedhë mbi opozitën dhe Gjykatën’”, ka shkruar Tahiri në një postim në Facebook, duke shtuar se kjo mund të shërbejë për ta shtyrë vendin drejt zgjedhjeve të reja “sipas interesave të kryeministrit”.

Kriza institucionale u thellua pasi Kuvendi i Kosovës nuk arriti të zgjedhë presidentin e ri. Në seancë nuk ishte i pranishëm numri minimal i deputetëve – 80 – i nevojshëm për të mbajtur seancën, çka bëri që kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, të njoftojë ndërprerjen e saj.

Një ditë më pas, më 6 mars, presidentja Vjosa Osmani njoftoi në konferencë për media se kishte dekretuar shpërndarjen e Kuvendit, duke argumentuar se institucioni nuk kishte arritur të përmbushte detyrimin kushtetues për zgjedhjen e presidentit.

Ky vendim u kundërshtua nga kryeministri Kurti në emër të Qeverisë, i cili më 7 mars e dërgoi çështjen në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim të ligjshmërisë së veprimit të presidentes.

Më 9 mars, Gjykata Kushtetuese vendosi masë të përkohshme ndaj dekretit të presidentes deri më 31 mars. Vendimi ndalon çdo veprim të mëtejmë nga presidentja në lidhje me dekretin për shpërndarjen e Kuvendit, si dhe çdo veprim nga ana e Kuvendit derisa masa të mbetet në fuqi.

“Gjykata vlerëson se ndalimi i çdo vendimi dhe veprimi të mëtejmë nga ana e institucioneve të lartcekura është në interes publik, i domosdoshëm për ruajtjen e rendit kushtetues dhe interesin më të mirë të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj”, thuhet në vendimin për masën e përkohshme.

Share This