Presidenti Ademi merr pjesë në iftar me hoxhë Halil Kastratin në Shtëpinë e të Moshuarve: Ishte një mbrëmje shumë domethënëse dhe plot emocione

Presidenti Ademi merr pjesë në iftar me hoxhë Halil Kastratin në Shtëpinë e të Moshuarve: Ishte një mbrëmje shumë domethënëse dhe plot emocione

Presidenti i Federata e Futbollit e Kosovës, Agim Ademi, ka marrë pjesë në një iftar të organizuar nga humanisti Halil Kastrati në Shtëpinë e të Moshuarve dhe në Shtëpinë e Popullit.

Në këtë iftar, përveç drejtuesve të FFK-së, morën pjesë edhe përfaqësues të Gjeneratës së Artë të futbollit kosovar si dhe tifozët “Dardanët”.

Ademi theksoi se ishte një mbrëmje shumë domethënëse dhe e mbushur me emocione, ku iftari u nda së bashku me stafin dhe banorët e kësaj shtëpie.

Ai falënderoi Kastratin për mikpritjen dhe për fjalimin e tij rreth rrugëtimit të Jetimat e Ballkanit, duke theksuar se ndihet krenar që është pjesë e kësaj shoqate humanitare.

Postimi i tij:

Sonte në iftar, së bashku me përfaqësues të FFK-së, Gjeneratën e Artë dhe Dardanët, ishim mysafirë të Hoxhë Halil Kastratit në Shtëpinë e të Moshuarve dhe në Shtëpinë e Popullit.

Në këtë muaj të rahmetit patëm nderin të ndajmë iftarin së bashku me Hoxhë Halilin, stafin dhe banorët e kësaj shtëpie. Ishte një mbrëmje shumë domethënëse dhe plot emocione.

Falënderoj Hoxhë Halil Kastratin për mikpritjen dhe për fjalimin emocionues rreth rrugëtimit të Shoqatës “Jetimat e Ballkanit”. U ndjeva shumë krenar si pjesë e kësaj shoqate, por edhe i sigurt për njerëzit tanë në nevojë, të cilët janë nën kujdesin e një humanisti të palodhur që me përkushtim të madh i shërben këtij segmenti kaq të rëndësishëm të shoqërisë sonë.

Mirënjohje e përhershme për Hoxhë Halil Kastratin që ka bashkuar mbi 300 mijë shqiptarë donatorë, falë të cilëve po realizohen projekte të mëdha humanitare.

Krenar dhe shpirtërisht i përmbushur që kam mundësinë të kontribuoj në vepra të mira dhe humanitare së bashku me të gjithë donatorët, nën udhëheqjen e Hoxhë Halil Kastratit.

Donatorë, Zoti ju shpërbleftë!

Share This