Rama kërkon nga Murati përfshirjen urgjente të buxhetit të Prishtinës në Ligjin për Ndarjet Buxhetore 2026

Rama kërkon nga Murati përfshirjen urgjente të buxhetit të Prishtinës në Ligjin për Ndarjet Buxhetore 2026

Kryetari i Prishtinas, Përparim Rama, ka kërkuar përfshirjen urgjente të buxhetit të Komunës së Prishtinës në Ligjin për Ndarjet Buxhetore për vitin 2026, duke i drejtuar një kërkesë zyrtare ministrit të Financave, Hekuran Murati, si dhe duke e ngritur çështjen publikisht përmes rrjeteve sociale.

Rama i ka dërguar një letër zyrtare Muratit, përmes së cilës ka përcjellë buxhetin e miratuar nga Kuvendi i Komunës së Prishtinës më 6 shkurt, duke kërkuar veprim të menjëhershëm për përfshirjen e tij në projektligjin për ndarjet buxhetore.

“Në kohën kur projektligji për ndarjet buxhetore të Republikës së Kosovës ndodhet në shqyrtim parlamentar ndërmjet dy leximeve, kërkojmë që të veproni menjëherë, në përputhje me nenin 62.3 të Ligjit për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë”, thuhet në letrën e Ramës drejtuar ministrit të Financave.

Sipas kryetarit të kryeqytetit, mosinkorporimi i buxhetit të Prishtinës në ligjin për ndarjet buxhetore rrezikon funksionimin normal të komunës dhe realizimin e projekteve të planifikuara për vitin 2026.

Përveç komunikimit institucional, Rama ka reaguar edhe publikisht përmes një postimi në Facebook, ku ka kërkuar përgjegjësi direkte nga ministri Murati.

“Hekuran Murati, ki detyrim institucional e moral me tregu pse buxheti i Prishtinës po lihet jashtë buxhetit 2026?!”, ka shkruar ai.

Nga Ministria e Financave deri më tani nuk ka pasur një reagim zyrtar lidhur me kërkesën e kryetarit të Prishtinës.

Share This