
S’ka fitues në Klinë, Prishtina e Re mposht Ferizajn
Kanë përfunduar dy ndeshjet e radhës të xhiros së 20-të në Superligën e Kosovës në futboll.
Një nga sfidat kryesore të kësaj fundjavë mes Dukagjinit dhe Gjilanit, është mbyllur baras 1-1.
Takimi ishte shumë i luftuar dhe me raste nga të dyja skuadrat, por pjesa e parë përfundoi pa gola. Fusha e rënduar nga shiu i fundit e bëri lojën edhe më të vështirë, duke shtuar vështirësi për lojtarët.
Të parët që kaluan në epërsi ishin mysafirët. Në minutën e 60-të, Senad Jarovic shënoi pas një asistimi fantastik nga Blerind Morina, duke vendosur rezultatin 0-1.
Por Dukagjini nuk dorëzohet lehtë. Pak para fundit të ndeshjes, Vitor Hugo gjeti golin e barazimit duke realizuar nga afërsia, dhe ndeshja përfundoi 1-1.
Me këtë rezultat, Dukagjini ruan vendin e pestë me 30 pikë, ndërsa Gjilani renditet i gjashti me 27 pikë.
Ndërkaq, Prishtina e Re ka arritur një fitore jetike ndaj Ferizajt me rezultat 1-0, në duelin që u zhvillua në Kampin Nacional në Hajvali.
Kjo përballje ishte shumë i luftuar, me pikë të vlefshme për të dyja skuadrat që ndodhen në fund të tabelës. Kryeqytetasit e rinj krijuan më shumë raste shënimi, edhe pse u anuluan dy gola gjatë ndeshjes. Pjesa e parë përfundoi pa gola, 0-0.
Ndeshja u ndërpre për një moment kur mesfushori i Prishtinës së Re, Doukoure, u largua nga fusha për shkak të fyerjeve me ngjyrë, por u rikthye pas ndërhyrjes së bashkëlojtarëve të tij.
Golin e vetëm dhe vendimtar e shënoi Drilon Fazliu në minutën e 99-të, pas një aksioni fantastik, duke i dhënë fitores 1-0 skuadrës së tij.
Me këtë fitore, Prishtina e Re ngjall shpresat për mbijetesë, duke mbajtur vendin e fundit me 18 pikë, një më pak se Ferizaji dhe tre më pak se Drenica.


