
Ballkani kalon në çerekfinale, Prishtina bie në ‘Fadil Vokrri’
Ballkani është kualifikuar në çerekfinale të Kupës së Kosovës, pasi mposhti Prishtinën pas ekzekutimit të penalltive, në një ndeshje dramatike të zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të 1/8 së finales.
Koha e rregullt dhe vazhdimet përfunduan me rezultat 3-3, ndërsa fati i ndeshjes u vendos nga pika e bardhë, ku skuadra nga Suhareka u tregua më e saktë duke triumfuar me rezultat 11-10.
Prishtina e nisi ndeshjen në mënyrë ideale, duke shënuar që në minutën e parë përmes Phillip Bouye. Kryeqytetasit dyfishuan epërsinë në minutën e 50-të me golin e Mario Ilievskit, duke krijuar përshtypjen se po e kontrollonin takimin.
Megjithatë, Ballkani reagoi fuqishëm në pjesën e dytë. Një autogol i Prishtinës në minutën e 77-të riktheu mysafirët në lojë, ndërsa Almir Kryeziu realizoi nga penalltia në minutën e 89-të për ta barazuar rezultatin 2-2 dhe për ta çuar ndeshjen në vazhdime.
Në minutën e 98-të, Ballkani kaloi për herë të parë në epërsi (3-2), por reagimi i Prishtinës ishte i menjëhershëm. Vetëm katër minuta më vonë, vendasit barazuan në 3-3, duke e dërguar sfidën në penallti.
Nga pika e bardhë, Ballkani u tregua më i qetë dhe më i saktë, duke siguruar kështu një vend në çerekfinale të Kupës së Kosovës.


