
Chelsea mund West Hami në një ndeshje dramatike
Chelsea ka arritur fitore dramatike 3-2 ndaj West Ham United në kuadër të Premier League-s, duke përmbysur një disavantazh prej dy golash pas pjesës së parë, për herë të parë në historinë e klubit në elitën e futbollit anglez.
Me këtë triumf, “Blutë” janë ngjitur në katërshen e parë të tabelës.
West Hami e nisi ndeshjen fuqishëm dhe kaloi në epërsi në minutën e 15-të, kur një krosim i Jarrod Bowen përfundoi në rrjetë, duke shënuar golin e tij të katërt radhazi brenda 30 minutave të para të ndeshjeve këtë sezon. Dominimi i mysafirëve vazhdoi dhe në minutën e 36-të, pas një aksioni të bukur mes Bowen dhe Aaron Wan-Bissaka, Crysencio Summerville realizoi golin e dytë për West Hamin.
Pjesa e parë u mbyll mes vërshëllimave të tifozëve vendas, duke detyruar trajnerin e Chelseat, Liam Rosenior, të reagojë me tri zëvendësime në fillim të pjesës së dytë. Aktivizimi i João Pedro, Wesley Fofana dhe Marc Cucurella ndryshoi rrjedhën e lojës.
Chelsea ngushtoi rezultatin me anë të Joao Pedros, i cili shënoi me kokë pas një asistimi të Fofanës. Presioni i vendasve u shtua dhe barazimi erdhi pas një aksioni të vazhdueshëm, ku pas disa devijimeve, Cucurella realizoi për rezultatin 2-2.
Në minutat shtesë, Chelsea arriti golin e fitores. Joao Pedro asistoi për Enzo Fernandez, i cili shënoi golin vendimtar, pikërisht në përvjetorin e tretë të transferimit të tij te klubi londinez.
Në fund, Chelsea feston një fitore të madhe dhe ngjitet në top katër, ndërsa West Ham pësoi humbjen e shtatë në tetë derbi londinezë në Ligën Premier. Ndeshja u mbyll me karton të kuq për Jean-Clair Todibo në minutat e fundit.

