Interi mposht Bolognën, rikthehet në krye të Serie A

Interi mposht Bolognën, rikthehet në krye të Serie A

Interi është rikthyer në vendin e parë në Serie A pas fitores bindëse 3-1 ndaj Bolognës në “San Siro”, duke konfirmuar formën e shkëlqyer në kampionat.

Nerazzurrët kanë regjistruar fitoren e gjashtë në shtatë ndeshjet e fundit në shtëpi.

Skuadra e Simone Inzaghit e nisi ndeshjen me ritëm të lartë dhe vetëbesim, duke krijuar raste të njëpasnjëshme që në minutat e para. Lautaro Martínez dhe Marcus Thuram u ndalën dy herë nga portieri Federico Ravaglia, i cili mbajti Bolognën në lojë në pjesën më të madhe të fraksionit të parë. Edhe Hakan Çalhanoğlu provoi nga distanca, por pa sukses.

Bologna pati një rast të rrallë për të kaluar në epërsi, por Jens Odgaard nuk e shfrytëzoi mundësinë, duke goditur jashtë nga pozita e favorshme. Dominimi i Interit u konkretizua në minutën e 39-të, kur Piotr Zieliński përfitoi nga një top i lirë në hyrje të zonës dhe shënoi me një goditje të bukur.

Në fillim të pjesës së dytë, Interi dyfishoi epërsinë. Pas një goditjeje këndi të Çalhanoğlut, Lautaro Martínez u gjet i pambuluar dhe shënoi me kokë nga afërsia. Nerazzurrët vazhduan të krijojnë raste për të mbyllur ndeshjen më herët, por Akanji gaboi, ndërsa Martínez goditi traversën.

Goli i tretë erdhi në minutën e 74-të, kur Marcus Thuram devijoi në rrjetë një tjetër goditje këndi të Federico Dimarcos. Bologna arriti të shënojë vetëm një gol nderi në minutat e fundit me Santiago Castron, por pa ndikuar në rezultatin final.

Me këtë fitore, Interi merr tri pikë të mëdha dhe rikthehet në krye të Serie A, ndërsa Bologna vazhdon serinë negative, duke mbetur pa fitore në pesë ndeshjet e fundit të kampionatit.

Share This