
‘Zidane do të fitojë kudo – si me klub, ashtu edhe me Francën’
Sulmuesi i Al-Ittihad, Karim Benzema, beson se Zinedine Zidane do të ishte i suksesshëm nëse një ditë do të merrte drejtimin e kombëtares së Francës.
Benzema, i cili fitoi gjithçka te Real Madridi nën drejtimin e Zidane, shprehu bindjen se legjenda franceze është një trajner i destinuar për fitore.
I pyetur nga ‘L’Equipe’ nëse e sheh Zidane-in si pasues të Didier Deschamps te “Les Bleus”, Benzema u shpreh i bindur se Zidane ku do që do të shkon do të fitojë trofe.
“Nuk e dimë… Nuk e dimë çfarë do të ndodhë. Nëse Zidane bëhet trajner i Francës një ditë, i uroj më të mirën. Ai do të fitojë, pa dyshim: qoftë me klub apo me kombëtare. Kudo që të shkojë, do të fitojë. Kështu është ai”, ka thënë Benzema.
Me kontratë që i skadon në qershor, Benzema foli edhe për planet e tij personale, duke nënvizuar se ndonëse nuk ka një klub të caktuar në mendje, ai synon të vazhdojë futbollin elitar.
“Nuk kam një klub specifik në mendje. Kam edhe dy vite futboll përpara dhe do të jap gjithçka. Në mendjen time jam si 20-vjeçar. Po luaj ende në nivelin më të lartë dhe jam gati të luftoj edhe dy vjet”, tha ai.
I pyetur për mundësinë e rikthimit te klubi ku nisi karrierën, Olympique Lyonnais, Benzema u përgjigj me kujdes: “Vështirë të them ‘dua të kthehem’, sepse kam lënë një përshtypje shumë të bukur. Nuk i dihet kurrë çfarë mund të ndodhë. Nuk është frikë, është thjesht dëshira për të lënë gjërat ashtu siç janë. Mund ta ndihmoj klubin në mënyra të tjera… por si lojtar? Nuk e di”.
Deklaratat e Benzema vijnë në një periudhë ku spekulimet rreth së ardhmes së tij dhe lëvizjeve të mundshme në verë janë shtuar.


