
Hamasi ofron “ngrirjen” e arsenalit, gati për fazën e dytë të planit amerikan
Për herë të parë, lëvizja Hamas ka sinjalizuar gatishmërinë për të diskutuar statusin e arsenalit të saj ushtarak, një nga pikat më të nxehta të marrëveshjes së armëpushimit me Izraelin.
Bassem Naim, anëtar i byrosë politike të Hamasit, deklaroi nga Doha se grupi është i gatshëm të shqyrtojë “ngrirjen ose ruajtjen” e armëve si pjesë e fazës së dytë të marrëveshjes së ndërmjetësuar nga SHBA-të dhe presidenti Donald Trump.
Ndërsa Izraeli ka kërkuar vazhdimisht çarmatosjen e plotë të grupit, Naim ofroi një formulë alternative që synon të shmangë dorëzimin e plotë, por garanton sigurinë.
“Mund të flasim për ngrirjen, ruajtjen ose lënien në vend të armëve, me garancitë palestineze, për të mos i përdorur fare gjatë kohës së armëpushimit,” tha zyrtari i lartë. Ai sugjeroi se kjo periudhë qetësie mund të zgjasë 5 deri në 10 vjet, kohë gjatë së cilës do të punohet për krijimin e shtetit palestinez.
Faza e dytë dhe plani 20-pikësh
Palët po përgatiten të hyjnë në fazën më kritike të “Planit 20-pikësh” të administratës Trump. Kjo fazë parashikon:
Vendosjen e një force ndërkombëtare sigurie.
Krijimin e një komiteti teknokratik palestinez për menaxhimin e Gazës.
Tërheqjen e trupave izraelite.
Rindërtimin nën mbikëqyrjen e një bordi ndërkombëtar.
Lidhur me forcat ndërkombëtare, Naim vendosi “vijat e kuqe”: “Mirëpresim një forcë të OKB-së pranë kufijve për të raportuar shkeljet, por nuk pranojmë që këto forca të kenë mandat policor brenda territoreve palestineze.”
Në rrafshin politik, duket se ka progres drejt formimit të një administrate teknike. Burime pranë negociatave bëjnë me dije se Ministri i Shëndetësisë, Majed Abu Ramadan, një figurë me origjinë nga Gaza, është emri i dakordësuar për të drejtuar komitetin që do të menaxhojë punët e përditshme në Rripin e shkatërruar.
Megjithatë, situata në terren mbetet e tensionuar. Izraeli akuzon Hamasin për zvarritje të lirimit të pengjeve, ndërsa pala palestineze raporton se 370 njerëz janë vrarë vetëm gjatë periudhës së armëpushimit. Bilanci total i luftës dyvjeçare flet për mbi 70,000 palestinezë të vrarë dhe një infrastrukturë thuajse inekzistente. /rtsh/


