Vrau dy fëmijët e saj dhe i fshehu trupat në valixhe, dënohet me burg përjetë nëna

Vrau dy fëmijët e saj dhe i fshehu trupat në valixhe, dënohet me burg përjetë nëna

Një nënë në Zelandën e Re që vrau dy fëmijët e saj dhe fshehu trupat e tyre në valixhe është dënuar me burgim të përjetshëm.

Hakyung Lee, e cila u shpall fajtore në shtator për vrasjet tronditëse të tetëvjeçares Yuna Jo dhe gjashtëvjeçares Minu Jo, duhet të kalojë të paktën 17 vjet pas hekurave para se të ketë të drejtë për lirim me kusht.

Lee, 45 vjeç, argumentoi se ishte e çmendur në kohën e vrasjeve në vitin 2018, të cilat ndodhën menjëherë pas vdekjes së burrit të saj. Gjykatësi i Gjykatës së Lartë Geoffrey Venning tha se shëndeti mendor i Lee luajti një rol në këtë rast, por se veprimet e saj ishin të llogaritura.

Eshtrat e fëmijëve u zbuluan vetëm në vitin 2022 nga një çift që fitoi një ankand për përmbajtjen e një njësie të braktisur magazinimi në Auckland.

Gjatë një gjyqi që zgjati më shumë se dy javë, avokatët mbrojtës të Hakyung Lee i thanë gjykatës se shëndeti i saj mendor u përkeqësua pas vdekjes së bashkëshortit dhe se ajo filloi të besonte se ishte më mirë që pjesa tjetër e familjes të vdiste së bashku.

Lee u përpoq të vriste veten dhe fëmijët e saj duke u dhënë atyre një dozë të antidepresantit nortriptilinë të përzier në lëng, por mori dozën e gabuar dhe kur u zgjua gjeti fëmijët e saj të vdekur, thanë avokatët e saj.

Prokurorët argumentuan se veprimi i Lee-së ishte “një akt egoist për t’u çliruar nga barra e prindërimit vetëm”.

Pas vrasjeve, Lee ndryshoi emrin e saj dhe u largua nga Zelanda e Re. Ajo u arrestua në Korenë e Jugut, vendlindjen e saj, në shtator 2022 dhe u ekstradua përsëri në Zelandën e Re më vonë atë vit.

Në një deklaratë emocionale të lexuar nga prokurorët, nëna e Lee-së, tha se i vjen keq që nuk e çoi vajzën e saj te një këshilltar, duke vënë në dukje se Lee “nuk kishte dëshirë për të jetuar” pasi Jo vdiq nga kanceri në nëntor 2017.

“Nëse donte të vdiste, pse nuk vdiq e vetme? Pse i mori fëmijët e pafajshëm me vete?” shkroi ajo, sipas raporteve të mediave të Zelandës së Re.

Gjykatësi Venning urdhëroi që Lee të trajtohej si një “paciente e veçantë” gjatë burgosjes së saj, duke pasur parasysh gjendjen e saj mendore.

“Nuk munde ta përballoje kur [burri yt] u sëmur rëndë dhe ndoshta nuk munde ta duroje të kishe fëmijët përreth teje si një kujtesë të vazhdueshme të jetës tënde të lumtur të dikurshme, e cila të ishte marrë mizorisht”, tha gjykatësi. /rtsh/

Share This