BE konfirmon mbështetjen për Ukrainën – Kremlini kritikon ndërhyrjen e evropianëve në planin e paqes

BE konfirmon mbështetjen për Ukrainën – Kremlini kritikon ndërhyrjen e evropianëve në planin e paqes

“Asgjë për Ukrainën pa Ukrainën, asgjë për Evropën pa Evropën.” Kështu deklaroi Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen gjatë seancës plenare në Strasburg në lidhje me qëndrimin evropian mbi planin e paqes për Ukrainën, duke rikonfirmuar mbështetjen për Kievin .

Çdo marrëveshje ka të bëjë me krijimin e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme, paqe që ndalon këtë konflikt dhe nuk mbjell farën për konflikte të reja në të ardhmen, që ka të bëjë me sigurimin e një arkitekture sigurie të fortë dhe të qëndrueshme për kontinentin tonë, një arkitekturë që mbështetet nga një Evropë e fortë, një NATO e fortë dhe një partneritet i fortë transatlantik. Dhe kjo është ajo që ne do ta mbrojmë së bashku me Ukrainën dhe aleatët tanë, në çdo hap të rrugës”, u shpreh Von Der Leyen.

Presidentja e Komisionit Evropian tha se negociatat mbi planin amerikan kanë filluar të hedhin themelet për një zgjidhje të mundshme për t;i dhënë fund luftës, por paralajmëroi se Rusia nuk po tregonte shenja se e do vërtet një gjë të tillë.

Po. Situata është e paqëndrueshme dhe është e rrezikshme, por unë besoj se ka edhe një mundësi për të bërë përparim të vërtetë. Duhet të gjejmë një mënyrë për të ndaluar vrasjet, për të ndihmuar Ukrainën të rindërtohet, për të kthyer fëmijët dhe për të ribashkuar familjet.  Duhet të gjejmë një mënyrë për të ofruar siguri të qëndrueshme për atë vend dhe për kontinentin tonë në tërësi.” , tha ajo.

Sakaq, Kremlini kritikoi Evropën për përfshirjen në bisedimet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. “Ndërhyrja e evropianëve në të gjitha këto çështje është, sipas mendimit tim, krejtësisht e panevojshme”- tha këshilltari i presidentit rus Putin për Politikën e Jashtme Yuri Ushakov. Ndërsa konfirmoi se janë njohur me propozimin e fundit amerikan për t’i dhënë fund luftës, Ushakov tha se e sheh një pjesë të tyre pozitivisht, por pika të tjera kërkojnë diskutim serioz mes ekspertëve. /rtsh/

Share This