
S`ka autobusë, qytetarët e Prishtinës përballen me mungesën e transportit
Qytetarët e Komunës së Prishtinës as sot nuk do të kenë transport publik. Linjat e autobusëve të Trafikut Urban dhe operatorëve privatë kanë vazhduar pezullimin e punës, duke protestuar nëpër rrugët e kryeqytetit.
Ndërsa dje ata pezulluan të gjitha linjat, forma e kundërshtimit të tyre sot ka qenë protesta deri te objektet e Qeverisë dhe Komunës së Prishtinës, raporton rtk.
Dhjetëra autobusë të Trafikut Urban, të rreshtuar njëri pas tjetrit, nisën protestën që nga mëngjesi, duke shkaktuar kolona të gjata në trafik.
Në ndërkohë, stacionet e autobusëve në kryeqytet duken të boshatisura për shkak të mungesës së linjave. Shumë qytetarë janë detyruar të ecin në këmbë për të shkuar në punë ose për të kryer ndonjë shërbim komunal ose administrativ.
Përfaqësues të Trafikut Urban kërkuan reagim urgjent, duke paralajmëruar se kriza po godet drejtpërdrejt familjet e qindra punëtorëve. Ata thanë se nuk do të heqin dorë nga protestat deri në gjetjen e një zgjidhjeje.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, akuzoi Qeverinë e Kosovës për bllokim fondesh, ndërsa ministri në detyrë Hekuran Murati tha se Komuna e Prishtinës ka pasur rreth 3.2 milionë euro në llogari, por nuk i ka kryer pagesat, duke bërë beteja politike.

