
Ukraina dhe Rusia nisin sulmet raketore gjatë natës, vriten disa persona
Sulme të ndërsjellta janë shkëmbyer gjatë natës mes Rusisë e Ukrainës në një moment kur bisedimet që synojnë t’i japin fund luftës duket se po merrnin ritëm.
Rusia pretendon se tre persona janë vrarë nga sulmet ajrore të Ukrainës. Ministria ruse e mbrojtjes deklaroi se ka rrëzuar 249 dronë ukrainas.
Guvernatori në detyrë i rajonit të Rostovit thotë se të paktën tre persona u vranë. “Sulmi armik i sotëm solli pikëllim të madh”, shkruan Yuri Sliusar në Telegram.
Në rajonin kufitar të Krasnodarit, guvernatori Veniamin Kondratyev e quan bombardimin e natës “një nga sulmet më të qëndrueshme dhe masive të regjimit të Kievit”.
Nga ana e saj Ukraina pretendon se dy persona u vranë dhe 6 të tjerë kanë mbetur të plagosur prejh sulmeve ruse.
Tymur Tkachenko, kreu i administratës ushtarake të kryeqytetit, thotë se njëri prej tyre u vra kur një ndërtesë banimi shumëkatëshe u godit nga një raketë ruse në bregun lindor të lumit Dnieper.
“Duhet të jemi të vetëdijshëm se Rusia nuk do ta lehtësojë presionin e saj ndaj Ukrainës”, tha më parë Presidenti Volodymyr Zelensky, ndërsa forcat e tij ajrore lëshuan një paralajmërim për raketa në të gjithë vendin.
Kujtojmë se një ditë më parë, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky përshëndeti ndryshimet që negociatorët e tij kanë siguruar në një propozim të mbështetur nga SHBA-të për t’i dhënë fund luftës.
Drafti origjinal i atij plani shkaktoi nervozizëm në Kiev dhe në të gjithë Evropën, pasi u pa gjerësisht si shumë i favorshëm për Rusinë.
Megjithatë, si SHBA-ja ashtu edhe Ukraina kanë sinjalizuar se bisedimet po përparojnë. Ne do t’i mbajmë nën vëzhgim të gjitha zhvillimet e fundit në këto negociata tepër komplekse. /rtsh/

