Abdixhiu reagon pas protestës së punëtorëve të Trafikut Urban: Bllokada e Prishtinës rrezikon qytetarët, jo LDK-në

Abdixhiu reagon pas protestës së punëtorëve të Trafikut Urban: Bllokada e Prishtinës rrezikon qytetarët, jo LDK-në

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiu, ka reaguar pas protestës së punëtorëve të “Trafikut Urban”, të cilët fillimisht u grumbulluan para Komunës së Prishtinës e më pas përpara objektit të Qeverisë, duke kërkuar pagat e papaguara.

Abdixhiu ka theksuar se bllokada e kryeqytetit ka pasoja serioze për qytetarët, duke përfshirë shkollat, qendrat mjekësore dhe shërbimet bazike.

“Kur bllokada 10 mujore e shtetit mori fund, vendosën të bllokojnë Prishtinën. Jetojnë për bllokadë, punojnë për bllokadë, ushqehen me bllokadë. Dhe ja ku jemi sot: pa transport publik, me punëtorë pa paga, qytetarë të bllokuar në stacione, dhe me një pushtet arrogant që ushtron hakmarrje politike ndaj Prishtinës,” ka shkruar Abdixhiu.

Ai ka shtuar se këto veprime nuk godasin LDK-në, por jetën e qytetarëve.

“Kur bllokojnë buxhetin e Kryeqytetit, nuk e bllokojnë LDK-në, por jetën e qytetarëve të vet – mësimin e fëmijëve, punën e prindërve dhe ekonominë e Prishtinës,” ka theksuar ai.

Abdixhiu ka bërë të ditur se Komuna e Prishtinës nuk po kërkon fonde shtesë nga Qeveria, por po kërkon paratë e veta, rreth 35 milionë euro nga taksat komunale dhe grantet që sipas tij janë bllokuar për hakmarrje politike.

“Prishtina nuk i kërkon paratë e vitit 2026, por të këtij viti që tashmë ka buxhet. Arsyetimet për mungesë të votave në Parlament janë vetëm ushqime për militantë,” ka theksuar kreu i LDK-së.

Reagimi i Abdixhiut vjen në një moment kur qytetarët e Prishtinës përballen me vështirësi në transportin publik dhe shërbimet komunale, si pasojë e mosmarrëveshjeve politike për financat e kryeqytetit.

Share This