
Hykmete Bajrami me akuza të forta ndaj Albulena Haxhiut: Ju keni mashtruar dhe jeni koordinuar me Listën Serbe
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj nënkryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, duke e akuzuar atë dhe Kryeministrin Albin Kurti për dështime të thella qeverisëse dhe mashtrim të qytetarëve.
Në një deklaratë të publikuar gjatë debatit të mbrëmshëm, Bajrami iu drejtua drejtpërdrejt Haxhiut, duke i thënë se përgjegjësia për situatën në vend bie mbi qeverinë dhe drejtuesit e saj.
“Zonja Haxhiu, këtu të prita! Problemin e kam me Albin Kurtin dhe me ju, sepse ju keni pasur përgjegjësinë dhe besimin e qytetarëve për të qeverisur Kosovën. Ju keni dështu. Ju keni mashtru. Ju jeni koordinu me Listën Serbe”, tha Bajrami.
Ajo shtoi se nuk ka pasur pritje nga Lista Serbe për zbardhjen e vdekjes së aktivistit Astrit Dehari dhe se përgjegjësia për këtë, sipas saj, bie mbi Vetëvendosjen dhe drejtuesit e saj.
“Nuk kam pritur nga Lista Serbe që ta zbardhni vdekjen e Astrit Deharit, prandaj problemin e kam me ju. Kur ta zbardhni vdekjen e Astrit Deharit, flasim për secilën temë – edhe për koordinimin e Mimoza Kusarit me Radojiqiqin dhe Listën Serbe”, shtoi ajo.
Bajrami tha se videot e publikuara së fundi, që sipas saj përmbajnë dëshmi të reja, “po i mundin” përfaqësuesit e pushtetit. “Ato që sonte i psove nga videot nuk mund t’i kompensosh me akuza ndaj meje”, përfundoi ajo.
Reagimi i deputetes së LDK-së pritet të ngjallë debat të ri politik, sidomos në kontekstin e tensioneve të rritura mes pozitës dhe opozitës për çështje të sigurisë, drejtësisë dhe bashkëpunimit me Listën Serbe.


