
Tragjedi në Stokholm, autobusi me dy kate përplaset me stacionin e autobusëve, raportohen për disa viktima dhe të plagosur rëndë
Një aksident i rëndë ka tronditur Stokholmin qendror pasditen e sotme, ku një autobus me dy kate është përplasur dhunshëm me një stacion autobusësh në lagjen Östermalm. Si pasojë e përplasjes, policia ka raportuar për “disa të vdekur” dhe të plagosur rëndë.
Aksidenti ndodhi pak pas orës 3:00 të pasdites, në Valhallavägen, një rrugë kryesore në lagjen Ostermalm. Shkaku i përplasjes është ende i panjohur dhe autoritetet kanë nisur menjëherë një hetim.
Përgjigjja e shërbimeve të emergjencës ka qenë e menjëhershme dhe masive. Në vendngjarje kanë mbërritur një numër i madh ambulancash, si dhe një helikopter shpëtimi për transportin e të plagosurve rëndë.
Oscar Davila i shërbimeve të emergjencës tha për gazetën suedeze Aftonbladet: “Ka disa të plagosur rëndë, nuk e dimë sa për momentin. Po ndihmojmë ekipet e ambulancës në vendngjarje.”
Policia e Stokholmit konfirmoi më vonë se, për fat të keq, aksidenti ka shkaktuar edhe viktima në njerëz, megjithëse numri i saktë i të vdekurve dhe të plagosurve nuk është bërë i ditur menjëherë për publikun.
Autobusi ishte bosh
Një detaj i rëndësishëm i dhënë nga Shërbimet e Emergjencës, dhe raportuar nga agjencia suedeze e lajmeve TT, është se autobusi nuk ishte në shërbim në momentin e aksidentit dhe nuk kishte pasagjerë brenda tij.
Kjo sugjeron se viktimat e raportuara janë kryesisht persona që ndodheshin në stacionin e autobusëve ose në afërsi të tij kur ndodhi përplasja.
Policia dhe ekipet e hetimit po punojnë në vendngjarje për të përcaktuar rrethanat e plota që çuan në këtë tragjedi, ndërsa trafiku në zonën e Östermalm është bllokuar. /rtsh/


