Elita e basketbollit rikthehet me kryederbin Trepça-Peja
Fundjava sjell super derbi nga elita e basketbollit. Padyshim që sfida kryesore e kësaj xhiro është Trepça-Peja.
Pasi nuk arritën të kalojnë fazën e grupeve të FIBA Europe Cup, të dy skuadrat janë përqendruar në garat vendore, ku kanë ambicie të mëdha në këtë edicion. Mitrovicasit renditen në vendin e dytë me gjashtë fitore e dy humbje, kurse pejanët në vendin e parë me shtatë fitore e një humbje, duke e bërë sfidën edhe më interesante të shtunën.
Këto dy skuadra u përballen edicionin e kaluar në finale të Play-off-it, ku triumfuan verdhezinjtë, që u shpallën kampionë, ndërsa ‘Xehetarët’ triumfuan në Superkupën e Kosovës, duke mundur pikërisht pejanët.
Takimi tjetër i së shtunës është mes Bashkimit dhe Istogut. Prizrenasit kanë tri fitore e gjashtë humbje, kurse istogasit një fitore e tetë humbje. Pikërisht fitoren e vetme “Djemtë e Bjeshkës” e kanë ndaj prizrenasve.
Dueli i parë i së dielës është mes Proton Cable Prizrenit dhe Vëllaznimit. Prizrenasit numërojnë dy fitore e gjashtë humbje, kurse kuqezinjtë janë në një formë të lartë, ku kanë pesë fitore radhazi pas katër humbjeve radhazi.
Xhiro e dhjetë mbyllet me një tjetër derbi ndërmjet Golden Eagle Yllit dhe Sigal Prishtinës. Therandasit kanë pesë fitore e katër humbje, ndërsa prishtinasit pesë fitore e tri humbje.
Java 10-Prince Caffe Superliga
Të shtunën takohen:
17:00 Trepça-Peja
19:00 Bashkimi-Istogu
Të dielën takohen:
17:00 Proton Cable Prizreni-Vëllaznimi
19:00 Golden Eagle Ylli-Sigal Prishtina