Barcelona e “merr në dorë” Yamalin, së bashku me agjentin e tij do të ‘kontrollojnë’ jetën e tij private

Barcelona e “merr në dorë” Yamalin, së bashku me agjentin e tij do të ‘kontrollojnë’ jetën e tij private

Futbollisti i Barcelonës dhe kombëtares spanjolle, Lamine Yamal është një nga lojtarët më të mirë në planet, mirëpo po ashtu njihet edhe për një ‘jetë të shfrenuar’.

Situatat e tij kontroverse private kanë nisur të bëhen lajm, që nga dita kur ai mbushi 18 vjet, dhe organizoi një festë për ditëlindje, e cila bëri bujë në mediumet botërore, e madje shkaktoi reagime të shumta.

Ai madje ishte hetuar nga autoritetet spanjolle, pasi ishte akuzuar se kishte ftuar persona me “xhuxhizëm”.

Por jo vetëm kjo, Lamine Yamal është mjaft aktiv edhe në rrjetet sociale, aty ku shpesh poston foto me të dashurën e tij, Nicki Nicole, e cila është një këngëtare e famshme nga Argjentina.

Po ashtu, Yamal tregon vetëbësim të madh në postimet e tij, duke postuar foto të ndryshme para ndeshjeve të mëdha. Për shembull, para ndeshjes me PSG-në, ai kishte postuar një foto të tij me mbishkrimin “No Pressure – Pa Presion”.

Edhe para ndeshjes së madhe të “El Clasicos”, Yamal ishte i ftuar në një emision, ku e kishte quajtur Real Madridin një klub ‘hajdutësh’, teksa kishte dhënë edhe deklarata të tjera të pamatura, që sipas mediave spanjolle i kishin motivuar lojtarët e Realit. Në fund, Reali fitoi 2-1 ndaj Barcelonës, me ndeshjen e luajtur në “Santiago Bernabeu”, me Yamalin që kishte një nga paraqitjet më të dobëta me Barcelonën.

E, këto veprime të tij, tashmë kanë ngjallur reagim edhe te Barcelona.

Klubi blaugranas po punon ngushtë me agjentin e lojtarit, Jorge Mendes, që të ndalin publikimin e situatave kontroverse nga jeta private e Yamalit.

Nga klubi dhe përfaqësuesit e futbollistit duan që ai të fokusohet vetëm te futbolli.

Lamine Yamal është produkt i akademisë së Barcelonës, teksa debutoi me klubin në vitin 2023, nën drejtimin e Xavi Hernandez.

Ai deri më tani ka fituar dy herë La Ligan, një herë Kupën e Mbretit, një herë Superkupën e Spanjës dhe një herë e ka fituar edhe EURO-n, raporton Express.

Ai madje doli i dytë në garën e sivjetme për Top të Artë, të cilin e fitoi Ousmane Dembele.

Vlera e Lamine Yamal në tregun e transferimeve e kap shifrën e 200 milionë eurove, sipas “Transfermarkt”.

Share This