
Transporti urban në Prishtinë falas për kategori të caktuara nga 1 tetori
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se nga 1 tetori transporti urban në kryeqytet do të jetë falas për kategori të caktuara të qytetarëve.
Sipas vendimit të publikuar në rrjetet sociale, përfitues të këtij lehtësimi do të jenë:
stafi shëndetësor, si dhe stafi administrativ, teknik dhe mbështetës i institucioneve shëndetësore të kryeqytetit;
stafi mësimor dhe ai administrativ, teknik e mbështetës i institucioneve arsimore, përfshirë edhe ato parashkollore; punonjësit e administratës së Kryeqytetit dhe të institucioneve vartëse; nxënësit e shkollave të mesme; studentët e kryeqytetit.
“Qytetarët janë prioriteti ynë, për një Prishtinë më të gjelbër dhe me më pak vetura”, ka shkruar Rama.
Ky vendim i Komunës së Prishtinës vjen vetëm 11 ditë para zgjedhjeve lokale, ku Përparim Rama synon një mandat të dytë.
Nga kundërshtarët politikë ai po shihet si pjesë e fushatës zgjedhore për të joshur votuesit.


