
Trump pret Erdoganin në Shtëpinë e Bardhë: Turqia duhet të ndalojë blerjen e naftës ruse
Presidenti amerikan Donald Trump ka pritur në zyrën ovale presidentin turk Recep Tayyip Erdogan nga ku deklaroi se Shtetet e Bashkuara mund të heqin sanksionet ndaj Turqisë dhe të lejojnë blerjen e avionëve luftarakë F-35 nga Ankaraja. Ndërsa ka kërkuar që Turqia të ndërpresë blerjet e naftës ruse, duke e bërë këtë një kusht kyç për marrëveshjet e ardhshme tregtare dhe ushtarake.
Vizita e parë e Erdogan-it në Shtëpinë e Bardhë pas rreth gjashtë vitesh vjen në një moment kur Ankaraja po përpiqet të shfrytëzojë një administratë amerikane të etur për marrëveshje të mëdha në fushat e armëve dhe tregtisë, transmeton Reuters.
Trump e quajti Erdoganin një “burrë shumë të ashpër” dhe shprehu dëshirën që Turqia të ndalojë blerjen e naftës ruse.
“Do të doja që Turqia të ndalojë blerjen e çdo nafte nga Rusia, ndërsa Rusia vazhdon sulmet kundër Ukrainës,” tha Trump për Erdoganin.
Turqia, bashkë me Hungarinë dhe Sllovakinë, janë blerësit kryesorë evropianë të naftës ruse, dhe Trump po ushtron presion për ndërprerjen e këtyre importimeve.
Kur u pyet nëse ishte i gatshëm të bëjë një marrëveshje për shitjen e F-35-ave te Turqia, Trump u tha gazetarëve se “mendoj se ai do të ketë sukses në blerjen e gjërave që dëshiron të blejë.”
Ai shtoi se mund të heqë sanksionet ndaj Turqisë “shumë shpejt”, dhe se “nëse kemi një takim të mirë, pothuajse menjëherë”.
Erdogan ka deklaruar se industria e mbrojtjes, përfshirë F-35-ët dhe negociatat për F-16-ët, do të jetë fokusi kryesor i takimit, së bashku me luftërat rajonale, energjinë dhe tregtinë. /rtsh/

