8 të lënduar si pasojë e zjarreve në Gramsh, në Delvinë flakët po i afrohen puseve të naftës

8 të lënduar si pasojë e zjarreve në Gramsh, në Delvinë flakët po i afrohen puseve të naftës

Zjarret e përhapura nga era e fortë dhe temperaturat e larta po vazhdojnë të shkaktojnë dëme të mëdha në Gramsh dhe Delvinë.

Në Gramsh, tetë persona kanë marrë lëndime dhe janë dërguar në spital për ndihmë mjekësore, ndërsa ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Fatkeqësisht, në këtë zonë, është shënuar edhe viktima e parë nga flakët, një 80-vjeçar, i cili humbi jetën si pasojë e asfiksisë.

Flakët kanë përfshirë disa banesa, ndërsa autoritetet kanë nisur shpërndarjen e ndihmave për banorët e prekur, të cilët janë evakuuar në zona më të sigurta. Ministria e Mbrojtjes ka dhënë më herët alarmin për evakuim urgjent të fshatrave Vokopolë, Zhapokikë, Plashnik dhe Panarit, si dhe të zonave brenda Rezervatit të Mbrojtur “Balloll”.

Në shuarjen e zjarreve janë angazhuar forca zjarrfikëse, trupa të Forcave të Armatosura dhe banorë të zonës, ndërsa ndërhyrja po bëhet edhe nga ajri.

Ndërkohë, situata mbetet e rrezikshme edhe në Delvinë, ku flakët po u afrohen puseve të naftës dhe depozitave me kondensat, duke rritur rrezikun e një shpërthimi. Autoritetet bëjnë thirrje për afrim të menjëhershëm të mjeteve zjarrfikëse në zonën e puseve. Në terren ndodhen ambulanca, mjete zjarrfikëse të Delvinës, si dhe helikopterë e forca të ushtrisë për të ndihmuar në izolimin e vatrave.

Strukturat e emergjencës po e ndjekin nga afër situatën, e cila mbetet kritike. /rtsh/

Share This