8 000 trupa nga Koreja e Veriut zbarkojnë pranë kufirit me Ukrainën
ShBA-ja ka vlerësuar se rreth 8,000 ushtarë nga Koreja e Veriut janë tani në Rusi pranë kufirit me Ukrainën dhe po përgatiten të ndihmojnë Kremlinin të luftojë kundër trupave ukrainase në ditët në vijim.
Shifra e re është një rritje dramatike nga një ditë më parë, kur Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin tha se vetëm se “disa” nga trupat kishin lëvizur drejt kufirit me Ukrainën në rajonin e Kurskut.
Kjo do të nënkuptojë gjithashtu se shumica e trupave të Koresë së Veriut që ShBA-ja dhe aleatët e saj thonë se janë dërguar në Rusi janë tani në kufirin Rusi-Ukrainë, shkruan euronews, përcjell Telegrafi.
“Pjesëmarrja e Koresë së Veriut në luftimin kundër Ukrainës do të ishte një zgjerim alarmues i konfliktit. Tashmë, vendosja e trupave të DPRK-së në Rusi shënon një zgjerim të rrezikshëm në lidhjet ruso-DPRK”, tha Robert A. Wood, zëvendësambasadori i ShBA-së në Kombet e Bashkuara.
“Veprimet e Rusisë në lidhje me DPRK-në jo vetëm që janë të rrezikshme, por ato janë në kundërshtim me përgjegjësinë e saj si anëtare e përhershme e këtij Këshilli të Sigurimit të OKB-së. Bashkëpunimi ushtarak i Rusisë me DPRK shkel rezolutat e shumta të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, shtoi Wood.
Ndërkohë, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se ndërsa trupat e Koresë së Veriut janë vendosur në Kursk, ato ende nuk kanë marrë pjesë në ndonjë armiqësi.
“Ata janë tashmë në rajonin e Kurskut. Ata do të përdorin këto trupa. Sigurisht, këta njerëz do të vdesin. Sigurisht, ata do të përpiqen të bëjnë gjithçka për t’u siguruar që më shumë ushtarë të Koresë së Veriut të vdesin”, tha Zelensky.