112-vjetori i ngritjes së flamurit kombëtar në Durrës
Më 26 nëntor të vitit 1912, Hafiz Ali Podgorica ngriti flamurin kombëtar në Durrës.
Në postin kryetarit të bashkisë së Durrësit, por edhe në cilësinë e kadiut dhe myftiut, Podgorica pati një angazhim domethënës në periudhën që i paraprin shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Ashtu si figura të tjera të qarqeve fetare në vend, Podgorica ndihmoi në kapërcimin e dallimeve mes besimeve për hir të kauzës kombëtare.
“Flamuri kombëtar shqiptar u ngrit me brohoritje. Mytesarifi u pushua. Hamid bej Toptani u emërua guvernator provizor. Mitropoliti refuzon ta njohë administratën lokale. Trupat mustahfis (mbrojtëse të prapavijës së qytetit) u liruan. Paria e vendit u doli serbëve përpara. Mungojnë informata të sakta për lëvizjen e tyre (serbëve). Ata janë nisur prej Kruje”, kështu njoftohej në radiotelegramin shifër të nënkonsullit, Rudnay drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme britanike.
Dy ditë më pas, në Kuvendin e Vlorës morën pjesë si delegatë të Durrësit Dom Nikollë Kaçorri, Abaz Çelkupa, Mustafa Hanxhiu dhe Jahja Ballhysa, të cilët nënshkruan edhe dokumentin historik të Pavarësisë. /atsh/