10-vjeçari i plagosur nga vëllai është në gjendje stabile në QKUK
Një fëmijë është plagosur në Suharekë me pushkë gjuetie nga vëllai tij i mitur. Ngjarja dyshohet se ka ndodhur aksidentalisht.
Policia njoftoi se viktima u dërgua fillimisht në spitalin rajonal të Prizrenit për trajtim mjekësor emergjent dhe më pas është transferuar në QKUK për trajtim të mëtejshëm.
Drejtori i Klinikës Emergjente në QKUK, Naser Syla ka njoftuar për RTKlive se i plagosuri është 10 vjeçar dhe se gjendja e tij është stabile.
“Një 10 vjeçar është trajtuar mbrëmë në Qendrën Emergjente me plagë sklopetare, pas intervenimit kirurgjik në sallën e Emergjencës nga ekipet e anestezionit kirurgji vaskulare, ortopedisë dhe kirurgjisë plastike është transferuar në Klinikën e Ortopedisë për vazhdim të trajtimit, gjendja është stabile”, ka thënë Syla.
Ndërkohë në raportin e policisë thuhet se lidhur me rastin, është informuar e konsultuar edhe prokurori, ndërsa njësitet policore janë duke e hetuar, raporton rtk.