Zyrtari i lartë amerikan, Richard Verma vizitë në Shqipëri, Kosovë e Serbi

Zyrtari i lartë amerikan, Richard Verma vizitë në Shqipëri, Kosovë e Serbi

Zëvendës Sekretari amerikan i Shtetit për Menaxhimin dhe Burimet, Richard R. Verma do të udhëtojë drejt Shqipërisë, Kosovës, dhe Serbisë në datat 7-11 janar.

Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, në Tiranë, ai do të diskutojë progresin demokratik të Shqipërisë, aftësitë mbrojtëse dhe thellimin e lidhjeve ekonomike mes dy vendeve.

“Ai do të falënderojë Qeverinë e Shqipërisë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj aleatëve tanë afganë”, shkruan DASH.

Në Kosovë, ai do të diskutojë normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë nëpërmjet dialogut të lehtësuar nga BE, forcimin e qeverisjes dhe sundimit të ligjit dhe nxitjen e rritjes ekonomike dhe sigurisë energjetike.

Në Serbi, sipas DASH, zëvendëssekretari do të theksojë partneritetin strategjik SHBA-Serbi për energjinë dhe çështje të tjera ekonomike.

“Ai do të ofrojë mbështetje për integrimin e Serbisë në institucionet evropiane, normalizimin e marrëdhënieve të Serbisë me Kosovën, forcimin e shtetit të së drejtës dhe bashkëpunimin më të ngushtë dypalësh në çështjet ushtarake dhe të sigurisë”, njofton DASH.

Sipas DASH, përmes këtyre vizitave, Verma pritet të riafirmojë angazhimin e Shteteve të Bashkuara ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor “ndërsa ata ndjekin integrimin euro-atlantik dhe bashkëpunimin më të thellë rajonal.” /rtsh/

Share This