Zyrtare: Shpëtim Duro rikthehet pas 5 vitesh në Kosovë, merr drejtimin e Suharekës
Shpëtim Duro rikthehet në Kosovë. Tekniku i mirënjohur nga Tirana është emëruar në krye të Suharekës, klubit ambicioz që është ngjitur në Superligën e Kosovës.
64-vjeçari ka drejtuar shumë klube gjatë karrierës së tij të gjatë, teksa numëron mbi 500 ndeshje në pankinë. Duro është shpallur kampion në Shqipëri me Skënderbeun dhe në Maqedoninë e Veriut me Strugën.
Ekip të cilin e drejtoi deri para pak ditësh. Suhareka bëhet ekipi i dytë kosovar për Duron, i cili ishte në krye të Dritës në periudhën shtator 2018-shkurt 2019.
“Të nderuar adhurues dhe simpatizantë të klubit tonë, ju njoftojmë që kemi arritur marrëveshje bashkëpunimi për të marrë drejtimin e skuadrës me kryetrajnerin SHPËTIM DURO.
Timonieri nga Shqipëria do drejtojë skuadrën tonë drejt synimeve të radhës, tashmë pjesë e elitës së futbollit kosovar. Duro, trajner me shumë eksperiencë, ku së fundmi ishte pjesë e FC Struga nga Maqedonia ku vitin e kaluar arriti të shpallej kampion.
Dhe të ishte pjesë e garave europiane. Në të kaluarën ka udhëhequr me sukses skuadra si KF Partizani, KF Shkëndija, FC Drita, FC Kukësi e KF Laçi.
Kryesia e klubit ishin të pajtimit që t’i besojnë trajnerit Duro për udhëheqjen e skuadrës. Ku u betuan që do qëndrojnë afër me kushtet dhe gjitha mundësitë që klubi ynë të shkëlqejë në Superligë.
Në anën tjetër trajneri theksoi se së bashku të bashkuar do të punojmë maksimalisht dhe me plan projekt profesional. Na priftë e mbara! Për ty, Suharekë!” /SS/