
Zyrtare: Jonathan Tah firmos për Bayern Munich
Bayern Munich ka zyrtarizuar transferimin e mbrojtësit qendror Jonathan Tah, i cili i bashkohet bavarezëve si lojtar i lirë nga Bayer Leverkusen.
Mbrojtësi 29-vjeçar ka firmosur një kontratë katërvjeçare, që e mban të lidhur me klubin deri më 30 qershor 2029.
Tah do të mbajë fanellën me numrin 4 dhe pritet të sjellë përvojë, stabilitet dhe lidership në prapavijën e kampionëve në fuqi të Gjermanisë, në një moment kur Bayern është në proces rindërtimi për të rikthyer dominimin brenda dhe jashtë Gjermanisë.
I lindur në Hamburg, Tah e nisi karrierën në akademinë e Hamburger SV në vitin 2009 dhe debutoi për ekipin e parë në vitin 2013, në moshën 17-vjeçare – duke u bërë atëherë lojtari më i ri që kishte luajtur për klubin.
Në prezantimin e tij zyrtar në “Allianz Arena”, mbrojtësi i përfaqësueses gjermane u shpreh i emocionuar për këtë hap të ri në karrierë.
“Jam shumë i lumtur që jam te FC Bayern. Dua të marr përgjegjësi këtu dhe të punoj shumë çdo ditë në mënyrë që të kemi sukses si ekip dhe të fitojmë shumë trofe së bashku”, tha ai.