Zyrtare: Hajdin Salihu dhe Muharrem Jashari prezantohen si lojtarë të rinj te LNZ Cherkasy
Klubi nga elita ukrainase, LNZ Cherkasy, ka zyrtarizuar transferimin e dyshes kosovare nga Drita. Bëhet fjalë për Muharrem Jasharin dhe Hajdin Salihun.
Hajdin Salihu që u transferua te skuadra gjilanase vetëm gjashtë muaj më parë nga Lokomotiva Zagreb, tani ka ndërruar sërish ambient, por kësaj radhe me përfitim, ku Intelektualët e kanë shitur atë për 250 mijë euro dhe sipas raportimeve do të mbajnë edhe 10% të kartonit të futbollistit në rast të shitjes në një klub tjetër më pastaj.
Në anën tjetër, Muharrem Jashari, është shitur shumë më lirë se sa çmimi i tij në Transfermarkt, kjo edhe për shkak të kontratës së tij me Dritën. Skuadra kosovare përfitoi 50 mijë euro nga shitja e mesfushorit nga Mitrovica, që në vitin 2021 e kishte transferuar për 75 mijë euro nga Trepça 89. Si për Salihun, ashtu edhe për Jasharin, Drita do të posedojë 10% të kartonit në çdo shitje të ardhshme.
Salihu ka nënshkruar kontratë dyvjeçare, ndërsa Jashari trevjeçare.
LNZ Cherkasy bën pjesë në Premierligën e Ukrainës, ku momentalisht nga 16 ndeshje të zhvilluara në sezonin e ri, gjenden në vendin e 10-të me 20 pikë të grumbulluara, gjashtë pikë më shumë se vendi që dërgon në playoff për të rënë nga elita.
Diferenca mes klubeve që janë në zonën për kualifikim në Evropë është relativisht e lartë, pasi për nga kualifikimet për Ligë të Konferencës është larg 11 dhe 12 pikë respektivisht, ndërsa 14 pikë larg kualifikimeve për Ligë të Kampionëve apo titull kampioni, që është një rrugë pothuajse e pamundur për këtë skuadër.