Zyrtare: AC Milan shkarkon Conceicao-n, rikthehet Allegri

Zyrtare: AC Milan shkarkon Conceicao-n, rikthehet Allegri

AC Milan të premten ka zyrtarizuar shkarkimin e trajnerit Sergio Conceicao.

Trajneri portugez mori drejtimin e skuadrës në dhjetor, pas largimit të Paulo Fonsecës, duke nënshkruar një kontratë 18-mujore.

Megjithëse arriti të fitojë Superkupën e Italisë dhe të çojë Milanin në finalen e Kupës së Italisë, Conceicao nuk ia doli të sigurojë një vend në garat evropiane, me kuqezinjtë që e mbyllën sezonin në vendin e tetë të Serie A.

Pas këtij sezoni të zhgënjyes në kampionat, drejtuesit e Milanit kanë vendosur t’i japin fund bashkëpunimit me Conceicao-n.

Ndërkohë, mediet italiane raportojnë se janë në fazë të avancuar bisedimet me ish-trajnerin Max Allegri për ta rikthyer në bankinën kuqezi.

Milani përmes një njoftimi ka konfirmuar ‘divorcin’ me Conceicao-n.

“Klubi dëshiron të falënderojë Sergio dhe stafin e tij për përkushtimin, profesionalizmin dhe dedikimin e treguar në drejtimin e ekipit gjatë këtyre muajve. Familja Rossonere i uron suksese në të ardhmen trajnerit që kontribuoi në fitimin e trofeut të 50-të në historinë e Milanit”, thuhet në njoftimin e klubit nga ‘San Siro’.

Share This