Zyrapi: As komandantët e zonave nuk janë emëruar nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së
Në ditën e tretë të dëshmisë në Hagë, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Bislim Zyrapi, dha shembuj që mbështesin versionin se UÇK-ja nuk funksionoi si ushtri e rregullt.
Ai tha se Shtabi i Përgjithshëm nuk i ka emëruar as komandantët e zonave, dhe se në disa Zona Operative ka pasur njësi që kanë funksionuar si të pavarura.
Bislim Zyrapi ka thënë se i është bashkuar UÇK-së si kuadro profesionale pasi ka qenë oficer i lartë edhe në Ushtrinë Popullore Jugosllave dhe pjesë e përgjegjësisë së tij ka qenë shndërrimi i Ushtrisë Çlirimtare në një ushtri të rregullt e me hierarki funksionale.
Zyrapi, i cili për një kohë gjatë luftës e ka mbajtur pozitën e shefit të Shtabit të Përgjithshëm, në ditën e tretë të dëshmisë në Hagë dha shembuj që e mbështesin versionin se UÇK-ja nuk funksionoi si ushtri e rregullt.
“Shembull Pashtriku, kemi pasur njësitin Lumi, Lisi, Pëllumbi por asnjëra prej tyre nuk ka qenë e lidhur me një komandë. Shihet që deri në fund të qershorit nuk ka arritur të caktohet komandanti i zonës. Këto njësi kanë vepruar sipas situatës dhe nevojave dhe mes vete këto njësi nuk kanë pasur bashkëpunim”, ka deklaruar ai.
Në procesin gjyqësor ndaj ish-udhëheqësve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Zyrapi tha se as komandantët e zonave nuk janë zgjedhur nga Shtabi.
“Komandantët e Zonave në atë kohë normalisht që e kanë pasur nga njësitet brenda zonave të tyre dhe ato kur kam ardhur vetëm se i kam gjetur. Pra janë zgjedhur dhe përcaktuar nga njësitë më poshtë”, ka theksuar ai.
Zyrapi ka dëshmuar në Hagë edhe në procesin ndaj Ramush Haradinajt.
Edhe gjatë dëshmisë së tashme, ka përsëritur se Shtabi i Përgjithshëm ka pasur më pak autoritet se komandantët e zonave.
“Po e kam bazuar në atë se si e kanë pasur autoritetin te njësitë e zonave të veta. Por e kanë pasur autoritetin edhe te popullata. Natyrisht që Shtabi Përgjithshëm është ditur që ekziston, faktikisht në atë kohë është njohur si Shtabi Qendror, por nuk e kanë ditur kush janë anëtarët e Shtabit Qendror. E kanë ditur vetëm disa komandantë kush janë anëtarët e Shtabit Qendror”, ka thënë ai.
Zyrapi pritet që dëshminë ta vazhdojë edhe të enjten në sesionin e paradites. Ai do të rikthehet të hënën, ndërkaq deri atëherë pritet ta përmbyllin dëshminë dy dëshmitarë të mbrojtur.