ZRRE reagon pas vendimit të Supremes: Procesi i liberalizimit të tregut të energjisë elektrike vazhdon

ZRRE reagon pas vendimit të Supremes: Procesi i liberalizimit të tregut të energjisë elektrike vazhdon

Zyra e Rregullatorit për Energji ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Supreme lidhur me çështjen e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike.

Sipas këtij aktgjykimi, është hedhur poshtë kërkesëpadia për shfuqizimin dhe shpalljen e paligjshme të Njoftimit Publik për Liberalizimin e Tregut të Energjisë Elektrike.

ZRrE ka bërë të ditur se, bazuar në vendimin e Gjykatës, procesi i liberalizimit të tregut të energjisë vazhdon dhe kontratat ekzistuese të konsumatorëve në treg të hapur mbeten të vlefshme.

Në komunikatë thuhet se Gjykata Supreme ka vërtetuar se e drejta për furnizim me tarifa të rregulluara u takon vetëm konsumatorëve të kualifikuar për Shërbim Universal, në përputhje me vendimin e Bordit të ZRrE-së për tarifat me pakicë për vitin 2025 dhe me Direktivën e Bashkimit Evropian për Energjinë Elektrike.

Po ashtu, Gjykata ka shfuqizuar dy dispozita të Udhëzuesve për Liberalizimin e Tregut të Energjisë nga vitet 2017–2019, duke konstatuar se ato nuk ishin të harmonizuara me legjislacionin në fuqi. ZRrE njofton se tashmë ka nisur procedurat e brendshme për shfuqizimin e këtyre dispozitave.

Sipas Ligjit për Energjinë Elektrike, konsumatorët që nuk i plotësojnë kriteret për Shërbim Universal duhet të furnizohen në treg të hapur, ndërsa përcaktimi i tarifave të rregulluara mbetet kompetencë e ZRrE-së vetëm për kategoritë që gëzojnë këtë të drejtë.

ZRrE ka publikuar aktgjykimin dhe ka paralajmëruar harmonizimin e plotë të udhëzuesve me vendimin e Gjykatës Supreme.

Share This