“Zikaltërit” të pandalshëm në Serie A, kësaj radhe mund Atalanta-n e Gjimshitit
“Zikaltërit” e Inter duket të jenë me të vërtetë të pandalshëm këtë sezon, teksa mbrëmjen e kësaj të shtune kanë arritur fitoren e radhës në Serie A, kësaj radhe ndaj “bergamaskëve” të Atalanta, skuadër në të cilën luan dhe “legjionari” i Kombëtares sonë, Berat Gjimshiti.
Goli i parë i sfidës erdhi pikërisht nga “zikaltërit”, të cilët gjetën avantazhin falë një 11-metërshi, të ekzekutuar në mërnyrë perfekta nga “ylli” turk i mesfushës, Hakan Calhanoglu, në minutën e 40’-të të sfidës, duke e mbyllur kështu pjesën e parë, në avantazhin 0 me 1.
Me fillimin e pjesës së dytë, djemtë e Simone Inzaghi do të gjenin sërish rrugën e rrjetës, kësaj radhe me anë të kapitenit, Lautaro Martinez, i cili ndëshkon me një super-goditje nga cepi i zonës portierin Musso, duke dyfishuar kështu shifrat, në minutën e 57’ të lojës, por vetëm 4 minuta më vonë, “bomberi” italian, Gianluca Scamacca, rihapi sfidën, duke e çuar topin në rrjetën e Yann Sommer, por pa ndryshuar asgjë, pasi rezultati mbeti po 1 me 2 deri në fundin e 90 minutave.
Falë kësaj fitoreje, “zikaltërit” e Inter mbesin në vendin e parë të kampionatit, kësaj radhe me një shkëputje prej 5 pikësh nga Juventus i vendit të 2-të, por këta të fundit kanë ende pa zhvilluar ndeshjen e kësaj jave. Ndërkaq, Atalanta mbetet në vendin e 5-të të renditjes, me 19 pikë, vetëm 2 më pak se Napoli i vendit të 4-t.