Zhitia në Speciale: Avokatët dhe prokurorët shkoqitën fjali nga libri im, të cilat kanë përcjellë një mesazh të gabuar
Skender Zhitia, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën Operative të Llapit po merret në pyetje nga Prokuroria në Gjykatën Speciale në Hagë në rastin e ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Zhita tha se avokatët dhe prokurorët nga Speciale kanë ndarë fjalë dhe fjali nga libri i tij, të cilat në opinion më pas kanë përcjellë mesazh të gabuar.
“Po, e kam ribotu në vitin 2023 pa ndryshime. Arsyeja e ribotimit është fakti që nga kjo dhomë, avokatë por edhe prokurorë kanë shkoqitë fjalë dhe e fjali nga tanësia e librit tim, të cilat në opinion e kanë përcjellë një mesazh të gabuar”, tha ai, duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurores Silvia D’Ascoli.
Zhitia u pyet edhe për pjesë specifike të librit të tij ku përshkruheshin ngjarje nga lufta në Llap nga 24 marsi 1999 deri më 1 maj të vitit 1999.
Ai tha se informacioni në librin e tij është i saktë, ndërsa u pranuan si prova materiale faqe të librit të Zhitisë për të cilat ai po vazhdon të merret në pyetje.
Kryetari të trupit gjykues, Charles Smith, tha se dëshmia e Skender Zhitisë pritet të zgjasë rreth një ditë e gjysmë. Dy orë kohë janë paraparë për pyetjet e Prokurorisë dhe rreth pesë orë për kundërpyetjet e Mbrojtjes.