
Zhijovin Nesiq dënohet me 15 vjet burgim për dhunim gjatë luftës
Gjykatën Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 15 vjet burgim për dhunim gjatë luftës në Kosovë, Zhijovin Nesiq.
Aktgjykimi u shpall sot nga gjykatësja Violeta Namani-Hajra, e cila ka deklaruar se Nesiq është fajtor se në bashkëkryerje me pjesëtarë të panjohur të forcave serbe, ka kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile“.
Gjykatësja ka theksuar se në dënimin me burgim, të akuzuarit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 5 mars 2024. Me aktvendim të veçantë, të akuzuarit i vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.
Dënimi me burgim, të akuzuarit Nesiq do t’i ekzekutohet kur aktgjykimi të bëhet i formës së prerë.
Po ashtu, gjykatësja ka thënë se e dëmtuara kishte identifikuar të akuzuarin Nesiq pranë Komisionit për hetimin dhe zbulimin e krimeve të luftës. Të njëjtën gjë, ka theksuar se e ka bërë edhe pranë Policisë në procesverbalin mbi identifikimin e të dyshuarit.
Po ashtu, e dëmtuara kishte identifikuar Nesiqin edhe në Gjykatë dhe Prokurori.
Kundër këtij aktgjykimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh pasi aktgjykimi të pranohet me shkrim nga palët në procedurë.
Gjykimi ndaj Nesiq është mbajtur i mbyllur për shkak të ndjeshmërisë së rastit. /rtk/