Zhegrova, dribluesi i çmendur i Lilles
Me të është gjithmonë e njëjta këngë. Kur merr topin në anën e djathtë shikon mbrojtësin që ka përpara, pastaj furishëm, përmes lëvizjeve teknike, ose gjuan ose pason, shkruan sajti i kampionatit francez, “Ligue 1” të hënën.
Edon Zhegrova është një lojtar i paparashikueshëm dhe i pakapshëm në të njëjtën kohë, si Arjen Robben, një tjetër lojtar që ka luajtur me këmbë të majtë i pozicionuar në krahun e djathtë.
Kosovari padyshim ëndërron një karrierë të ngjashme të holandezit, i cili luajti për Chelsean, Real Madridin dhe Bayern Munchenin.
Për t’i dëshmuar aftësitë e tij, 25-vjeçari zgjodhi një skenë shumë të madhe – Ligën e Kampionëve. Ai shkëlqeu ndaj ekipeve të mëdha si Real Madrid, Atletico Madrid dhe Juventus.
Ashtu si në “Ligue 1” të Francës, lojtari i Lillet nuk ka frikë nga asgjë dhe shton driblimet në krahun e tij. Një provokator i lindur, ai është thjesht lojtari që ka tentuar më shumë driblime në Ligën e Kampionëve këtë edicion. Plot 39 herë. Është para Rafael Leaos së Milanit dhe Viniciusit që kanë tentuar të driblojnë kundërshtarët në 32 raste.
Por Zhegrova është i katërti kur bëhet fjalë për saktësinë e driblimeve. Të sakta i ka pasur vetëm 17. Megjithatë, Zhegrova është ende rekordmen për numrin e driblimeve të tentuara në një ndeshje të Ligës së Kampionëve. Ndaj Juventusit ai tentoi 14 herë të driblojë.
Por të sakta i ka pasur vetëm tetë ndaj Juventusit dhe kjo ka bërë që ai të mbetet në vendin e tretë për numrin e saktë të driblimeve në një ndeshje të Championsit.
Zhegrova të mërkurën do ta ketë një tjetër mundësi për t’i treguar aftësitë e tij. Lille e pret Sturm Grazin në kuadër të xhiros së gjashtë të Ligës së Kampionëve. Ndeshja Lille – Sturm Graz luhet nga ora 18:45.
Në Champions, Lille është në vendin e 12-të me dhjetë pikë.