Zhegrova dhe Vojvoda: Gabimet na kushtuan me humbje
Kosova pësoi humbje të martën në mbrëmje nga Hungaria (2-0), në miqësoren që u zhvillua në Budapest.
Njëri prej lojtarëve me të mirë për “dardanët” në këtë ndeshje ishte Edon Zhegrova, i cili ka thënë se humbja erdhi pas gabimeve të veta.
“Mendoj që e kemi filluar ndeshjen shumë mirë, por besoj që pjesën e dytë pësuam pas gabimeve tona, kështu që këtu ka qenë lojë kontrolluese, miqësore. Trajneri në të ardhmen ka me i pa gabimet që i kemi bërë dhe së bashku shpresoj që kemi me u përmirësuar”, ka thënë Zhegrova, i cili me pas ka shprehur bindjen se përzgjedhësi Franco Foda i ka parë të gjithë lojtarët dhe në shtator do ta bëjë ekipin më të mirë për ndeshjet e Ligës së Kombeve.
“Trajneri ka parë të gjithë futbollistët nga ky grumbullim dhe besoj që do të ketë edhe lojtarë të rinj që do të vijnë. Në shtator do të krijojmë ekipin më të mirë për ndeshjet e Ligës së Kombeve dhe do të mësojmë nga gabimet tona. Dëshira normalisht ishte shumë e madhe që të shënoja, por shpresoj që ndeshjet e radhës t’ia arrijë qëllimit. Besoj që kemi ende shumë punë për të bërë dhe duhet të përmirësohemi shumë më shumë”, ka shtuar Zhegrova.
Pas kësaj humbje ka folur edhe mbrojtësi Mërgim Vojvoda, i cili ka thënë se Kosova ka luajtur për 60 minuta shumë mirë, por goli i pranuar ka ndikuar në vazhdim të ndeshjes.
“Ka qenë një lojë shumë e rëndësishme për ne, ka qenë ndeshje shumë pozitive. Besoj që kemi luajtur mirë 60-65 minuta, pastaj morëm golin e parë që na rrëzoj për toke. Do të mësojmë nga këto gabime. Kemi luajtur kundër një kundërshtari shumë të mirë dhe përpos të vazhdojmë me pozitivitet dhe me punë e trajnime stafin e ri, gjithçka është në rregull”, ka thënë Vojvoda.