
Zgjidhja e mundshme e propozuar nga ne mbetet si rrugëzgjidhje
Nga: Lumir Abdixhiku, shkruar në Fb
Të dashur qytetarë,
Nesër bëhet hera e 15-të që mblidhemi për të pritur rezultatin e njëjtë. Për më tepër, në horizont nuk duket fundi i kësaj praktike pa rezultat. Një hapje e mërzitshme seance, një përfundim edhe më i pashpresë i saj. Në mes, një sërë procedurash të paprecedenta parlamentare, që nuk marrin aprovimin e një shumice as kur përsëriten 15 herë.
Në fund, qytetarë – me të drejtë – të frustruar se si tre muaj pas zgjedhjeve nuk ka as Parlament e as Qeveri.
Dhe kriza vazhdon. Jo vetëm kjo parlamentarja, por ajo e vërteta – ajo jashtë. Çmimet e larta bërtasin, pagat vazhdojnë të mbesin të pamjaftueshme, faturat e energjisë rriten, e asnjë projekt madhor nuk ecën më. Vendet përreth ndërtojnë aeroporte, spitale e centrale. Tek ne disa gjejnë komfortin në shfaqje 48-orëshe pa asnjë rezultat.
Presin reflektim pa asnjë veprim. Do të duhej të ishte krejt e qartë, për partinë e parë, se ajo nuk e ka gjënë më të domosdoshme në demokraci: shumicën. Gjërat në demokraci bëhen me shumicë dhe jo me imponim e aq më pak me insistim në imponim.
Do të duhej të ishte po ashtu shumë e qartë dhe për palët e tjera se askush sot nuk ka shumicë. Ka dëshira mjaft, secila parti ndërton qeveri për qejfet e veta – por shumicë që këtë dëshirë të tyre e kthen realitet nuk ka.
Prandaj na duhet një zgjidhje.
Më mirë se insistimi në përsëritje të krizës.
Javën e shkuar LDK-ja dha një zgjidhje. Ajo, deri më tani, mbetet alternativa e vetme e propozuar në skenë. Nuk është ideale, por gjithsesi mbetet e përgjegjshme dhe shtetare. Po pajtohemi që nuk ka shumicë. Po pajtohemi se jemi në krizë. Po pajtohemi se na duhen zgjedhjet eventualisht. Le të punojmë për të gjitha; por deri atëherë shtetit t’i japim një qeveri e qytetarëve adresim të menjëhershëm të problemeve të tyre. Një Qeveri Nacionale të Tranzicionit – me mandat të kufizuar, me agjendë e detyra të përbashkëta deri në zgjedhjen e Presidentit.
Jo për ta zgjedhur pushtetin, por për ta zgjidhur nyjën e krizës. Jo për ta ndarë shtetin mes partive, por për ta mbrojtur atë nga paraliza institucionale.
Si përgjigje ndaj propozimit tonë, fatkeqësisht deri më tani kemi dëgjuar vetëm insistim në dëshira të njëjta partiake që nuk përcillen me një shumicë reale. Edhe sot, një javë nga dhënia e idesë e 3-4 seanca të mërzitshme pas, Kosova mbetet në gjendjen e njëjtë.
LDK-ja mirëpret secilën mundësi në funksion të daljes nga kjo gjendje, përfshirë takimin e përbashkët të ftuar nga Presidentja. Por që një nismë të ketë sukses, duhet të paraprihet me ide të reja. Insistimi në të vjetrat, edhe në takim, nënkupton komfort dhe bllokim të mëtejmë.
Zgjidhja e mundshme e propozuar nga ne mbetet si rrugëzgjidhje me shumë përfitime për vendin, sepse, më shumë se dëshirat partiake, Kosova ka nevojë për institucione funksionale.
Këtë propozim do ta paraqesim dhe në takimin në fjalë.