
Zgjedhjet në Runcorn dhe Helsby- Partia e Farage rrëzon bastionin laburist pas 40 vitesh
Partia Reformë, e mbështetur nga Nigel Farage, ka shënuar një fitore të papritur në zgjedhjet e pjesshme në Runcorn dhe Helsby, duke përmbysur një epërsi prej afro 15,000 votash të Partisë Laburiste dhe duke marrë për herë të parë kontrollin e një zone që ka qenë bastion i laburistëve për më shumë se katër dekada.
Kandidatja Sarah Pochin fitoi me një diferencë minimale prej vetëm gjashtë votash, në një rezultat që u shpall pas një procesi të gjatë rinumërimi që zgjati mbi një orë. Ky sukses shihet si një shtysë e madhe për ambiciet e Farage për ta shndërruar Reformën në një alternativë serioze qeverisëse në zgjedhjet e ardhshme.
Zgjedhjet e pjesshme, të cilat u zhvilluan pas dorëheqjes së deputetit laburist Mike Amesbury – i dënuar për sulm ndaj një zgjedhësi – përfaqësonin gjithashtu një provë të rëndësishme për drejtuesin e laburistëve Sir Keir Starmer. Rezultati i tyre, i kombinuar me humbje të mëdha për Konservatorët në shumë prej këshillave dhe garave për kryetar bashkie në të gjithë Anglinë, përforcon perceptimin se Reforma mund të ndikojë fuqishëm në skenën politike britanike, raporton rtsh.