Zgjedhjet e rregullta parlamentare, Cakolli tregon se kur mund të mbahen ato
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka ftuar zyrtarisht liderët e partive politike që t’i takojë më 31 korrik në konsultime për caktimin e datës së zgjedhjeve parlamentare.
Lidhur me ftesën e presidentes Osmani, një reagim në “Facebook” e ka bërë edhe Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës.
Cakolli thotë se zgjedhjet e rregullta parlamentare mund të mbahen në periudhën, nga fundi i janarit deri në mes të shkurtit të vitit 2025.
“Datat e vetme të zgjedhjeve të rregullta që Presidentja mund t’i diskutojë me partitë politike në takimin e së mërkurës, janë 26 janari, 2, 9 apo 16 shkurti. Presidentja ka kohë më së voni deri në mes të nëntorit, për ta caktuar ndonjërën prej këtyre datave”, ka pohuar ai, raporton Epoka e re.
“Zgjedhjet, më herët se në janar, mund të jenë veç të parakohshme – pas shpërndarjes së Kuvendit (me 2/3 e votave) apo rënies së qeverisë (përmes mocioneve apo dorëheqjes së KM)”, ka shkruar Cakolli.