Zëvendësuesi i Mbappe-s, i preferuari i Luis Enrique është Rodrygo
Paris Saint-Germain është i impenjuar me kërkimin e trashëgimtarit të Kylian Mbappe, yllit i cili tashmë ka shpallur lamtumirën e tij me klubin për t’u transferuar te Real Madrid.
Dhe zëvendësuesi i ish-sulmuesit të Monakos mund të vijë nga kryeqyteti spanjoll. Sipas asaj që u raportua nga Onda Cero, Luis Enrique u ka treguar drejtuesve të Parisit të preferuarin e tij: është Rodrygo.
Ditët e fundit ka pasur zëra për një interesim për Khvicha Kvaratskhelia nga Napoli, por trajneri asturian do të preferonte anësorin sulmues brazilian ndaj atij gjeorgjian. Megjithatë, braziliani, pavarësisht ardhjes së Mbappe, është një nga të paprekshmit e Real Madridit për Carlo Ancelottin. Do të shohim nëse një ofertë e rëndësishme mund ta ndryshojë situatën.
Rodrygo foli për të ardhmen e tij së fundmi në një intervistë për DAZN: “Gjithçka mund të ndodhë. Unë kam një kontratë këtu por… Vitet që kalova këtu ishin shumë të mira për mua. Siç e kam thënë gjithmonë, dua të qëndroj në këtë klub, por le të shohim se çfarë do të ndodhë”.
Nuk mungojnë ofertat dhe disa klube angleze janë të interesuara – me Liverpoolin në krye të listës – por Real Madridi nuk po e shqyrton idenë e një shitjeje.